Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë goditur një anije në brigjet e Venezuelës, duke lënë të vdekur gjashtë persona, ka thënë presidenti Donald Trump.
Trump ka thënë se anija i përkiste “narkoterroristëve” dhe se po “trafikonte narkotikë”.
Ky është sulmi i pestë i këtij lloji nga administrata Trump mbi një anije që akuzohet për trafikim të drogave në ujërat ndërkombëtarë që nga shtatori. 27 persona janë vrarë gjithsej.
Disa avokatë e kanë akuzuar SHBA-në për shkelje të të drejtës ndërkombëtare, derisa Kolumbia dhe Venezuela i kanë dënuar sulmet, raportoi BBC.
Trumpi ka thënë se “inteligjenca ka konfirmuar se anija po trafikonte narkotikë, ishte e lidhur me rrjete ilegale narkoterroriste dhe po kalonte tranzit përgjatë një rrugë të njohur” për kontrabandë.
SHBA-ja i ka cilësuar sulmet e veta ndaj anijeve si vetëmbrojtje.