Miliarderi Elon Musk ka kritikuar ligjin për taksat dhe shpenzimet të presidentit amerikan Donald Trump, duke e quajtur atë “të neveritshëm” në një postim në platformën “X”. Musku ka thënë se “nuk e duron dot” këtë legjislacion.
Ligji – që përfshin ulje të taksave në vlerë prej triliona dollarësh, rritje të shpenzimeve për mbrojtje dhe lejon qeverinë amerikane të marrë më shumë borxh – u miratua nga Dhoma e Përfaqësuesve në maj.
Në “X”, Musk shkroi se ata që votuan për këtë ligj “janë gabim”.
Më herët, Musk e kishte quajtur ligjin, i cili është një ndër politikat kryesore të Trumpit, “zhgënjyes”, duke thënë se minon përpjekjet për kursim të shpenzimeve nga ekipi që ai kishte udhëhequr deri së fundmi, i quajtur Doge (Departamenti për Efiçiencë të Qeverisë), edhe pse ky ekip nuk ka status zyrtar si agjenci qeveritare.
Mandati i miliarderit me prejardhje nga Afrika e Jugut në administratën Trump përfundoi më 31 maj, megjithatë Trump deklaroi se “ai do të jetë gjithmonë me ne, duke ndihmuar deri në fund”.
Vlerësimet aktuale tregojnë se ky ligj, në formën e tanishme, pritet ta rrisë deficitin buxhetor – diferencën ndërmjet shpenzimeve të qeverisë dhe të hyrave – për rreth 600 miliardë dollarë gjatë vitit të ardhshëm fiskal.
Në një seri postimesh të martën, Musk shkroi se ligji “i tejmbushur me ‘pork’* është turp i madh që do ta rrisë jashtë mase deficitin tashmë të madh në 2.5 trilionë dollarë (!!!) dhe do t’u ngarkojë qytetarëve amerikanë një borxh katastrofikisht të paqëndrueshëm”.
(*Në politikën amerikane, “pork” i referohet shpenzimeve të futura nëpër ligje për të përfituar zona të caktuara elektorale.)
“Presidenti e di tashmë se ku qëndron Musku për këtë ligj. Ky është ligj i madh, i bukur”, ka thënë zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt.
Ligji gjithashtu parashikon zgjatjen e uljeve të taksave të miratuara gjatë mandatit të parë të Trumpit në vitin 2017, si dhe rritje të ndjeshme të fondeve për mbrojtjen dhe për financimin e deportimeve masive të emigrantëve të paregullt.
Për më tepër, ai propozon edhe ngritjen e tavanit të borxhit publik në 4 trilionë dollarë.