Autoritetet ruse kanë urdhëruar të enjten një diplomat britanik të largohej nga vendi nën akuza për spiunazh. Shërbimi Federal i Sigurisë i Rusisë, FSB, pretendoi se anëtari i stafit të ambasadës kishte punuar për inteligjencën britanike, duke mos ofruar prova.
Ministria e Jashtme e Rusisë njoftoi se akreditimi i diplomatit u revokua dhe personi tani duhet të largohet brenda dy javësh nga vendi.
E ngarkuara me punë e Mbretërisë së Bashkuar në Rusi, Danae Dholakia, u thirr në selinë e ministrisë në Moskë për të marrë njoftimin.
"Moska nuk do të tolerojë punën e oficerëve të padeklaruar të inteligjencës britanike në Rusi", tha Ministria e Jashtme e Rusisë. Ajo tha gjithashtu se do t'i përgjigjej në të njëjtën mënyrë çdo veprimi të ndërmarrë nga Londra për këtë çështje.
Rusia dhe aleatët e NATO-s kanë kryer disa raunde dëbimesh të ndërsjella të diplomatëve, ndërsa marrëdhëniet kanë rënë në nivelet më të ulëta që nga Lufta e Ftohtë, pasi Kremlini dërgoi trupa në Ukrainë në shkurt 2022.
Në mars të 2025, autoritetet ruse dëbuan dy diplomatë britanikë me bazë në Moskë nën akuza për spiunazh.
Mbretëria e Bashkuar i quajti këto akuza "keqdashëse dhe të pabaza".