Botë

Mosbesimi kur zjarri shpërtheu brenda barit zviceran: “Menduam se ishte shaka”

Zvicra - Crans-Montana

Dëshmitarët përshkruan një shkallë të vetme që të çonte nga bodrumi në tarracën e mbyllur, me një derë të vogël në fund, ku njerëz të dëshpëruar që përpiqeshin të shpëtonin nga të dy katet mbetën të bllokuar. Nuk është ende e qartë nëse kishte dalje të tjera emergjence në barin ku një zjarr që shpërtheu në orët e para të ditës së parë të vitit 2026 la 40 të vdekur e qindra të lënduar.

Reuters - Kur një zjarr i rëndë shpërtheu në resortin zviceran të skive Crans-Montana rreth orës 1:30 të mëngjesit të së enjtes, disa pjesëmarrës në ngjarjen e Vitit të Ri dukeshin të pasigurt në fillim nëse duhej ta merrnin seriozisht.

Le Constellation, një bar me dy kate, me një tarracë të rrethuar me xham, ishte ende plot me njerëz që festonin, shumë prej të cilëve adoleshentë.

Dëshmitarët kanë thënë se kishin parë një anëtar të stafit, i cili ishte ulur mbi supet e një kolegu, duke mbajtur shishe me fishekzjarrë në stilin e qirinjve që shpërthenin në pjesën e bodrumit pak para se tavani të merrte flakë.

Një video e shpërndarë në mediat sociale dhe e verifikuar nga Reuters tregon një të ri duke përdorur këmishën e tij në përpjekje për të shuar flakët që kishin nisur të formoheshin në tavan ndërsa të tjerët e regjistrojnë skenën në telefonat e tyre. Muzika me zë të lartë dëgjohet në sfond.

“Menduam se ishte një shaka, ose se nuk ishte domosdoshmërisht serioze”, ka thënë  Axel Clavier, një adoleshent që ishte në bodrum me miqtë kur filloi zjarri.

Disa çaste më vonë, ishte krijuar një re e madhe tymi të zi, ka treguar Clavier për agjencinë zvicerane të lajmeve Keystone. “Nuk mund të merrnim më frymë”, është shprehur ai.

E gjitha ka ndodhur brenda sekondash, ka treguar Julia, një 19-vjeçare nga qyteti zviceran i Lozanës, e cila nuk donte të jepte mbiemrin e saj. Pasoi paniku.

“Njerëzit papritmas filluan të vraponin dhe të ecnin mbi njëri-tjetrin”, i ka thënë ajo Reuters, duke u përpjekur të mbante lotët. 

“Kishte një turmë të madhe, hyrja ishte vërtet e vogël, dhe ishte e vështirë të shpëtoje”, ka rrëfyer Julia.

Ajo ishte në katin përdhes dhe shpëtoi me një këmbë të lënduar. Një shoqe, e cila ishte me të, u përfshi nga flakët që shpërthyen nga bodrumi dhe përfundoi në spital me djegie të rënda, ka treguar ajo.

Të paktën 40 persona kanë mbetur të vdekur dhe 119 të tjerë të lënduar si pasojë e zjarrit, kanë bërë të ditur zyrtarët zviceranë në kantonin jugperëndimor të Valais.

Numri i viktimave konsiderohet “i paparë” për një vendpushim të njohur për pamjet panoramike alpine dhe atraksionet sportive si skijimi dhe golfi.

Hetimet fillestare sugjerojnë se flakët filluan kur të ashtuquajturit qirinj shatërvani të bashkangjitur në shishet e shampanjës iu afruan shumë tavanit, ka thënë prokurorja lokale Beatrice Pilloud në një konferencë për shtyp të premten. 

“Prej andej, pasoi një zjarr i shpejtë, shumë i shpejtë dhe që përhapej”, ka deklaruar ajo.

Pyetje kanë lindur gjithashtu në lidhje me një material shkumë që mund të jetë përdorur për të izoluar nga tingujt tavanin e bodrumit në të cilin pjesëmarrësit kërcenin me muzikë rep.

Hetimi tani do të përqendrohet në rinovimet që i ishin bërë barit dhe materialet e përdorura, sistemet e shuarjes së zjarrit dhe rrugët e shpëtimit, si dhe numrin e njerëzve në ndërtesë kur filloi flaka, ka thënë prokurorja Pilloud.

Prokurorët zviceranë kanë thënë të shtunën se kanë vënë nën hetim dy menaxherët e barit me dyshimin për vrasje nga neglizhenca dhe krime të tjera. 

Gazeta zvicerane “Tribune de Geneve” ka cituar një nga pronarët, Jacques Moretti, të ketë thënë se bari ishte inspektuar tri herë në 10 vjetët e fundit dhe se “gjithçka ishte bërë sipas rregullave”.
Reuters ka intervistuar dhjetëra dëshmitarë, përfshirë tre të mbijetuar, dhe ka shqyrtuar video dhe fotografi të shumta për të bashkuar pjesët e asaj që ka ndodhur në orët e para të ditës së parë të vitit 2026.

Një vend i popullarizuar vendor

I njohur në vend si “Le Constel”, bari ishte një vend i njohur mbrëmjeje për studentët e huaj dhe adoleshentët vendas, të cilët në Zvicër lejohen të blejnë birrë dhe verë që nga mosha 16 vjeç.
“Është një bar ku shkonim për daljet tona të para kur ishim 16 ose 17 vjeç”, ka thënë 21-vjeçari Samuel Rapp, i cili ishte në një restorant meksikan ngjitur kur shpërtheu zjarri. 

“Ne shkonim atje sepse mund të luash bilardo”, ka shtuar ai.

Natën e zjarrit, dëshmitarët përshkruan radhë jashtë derës, teksa disa njerëz ishin kthyer nga ana tjetër sepse nuk kishin rezervuar tavolina.

Një i mbijetuar i ri, i cili ka thënë vetëm se quhej Nathan, ka thënë se shfaqja me fishekzjarrët dukej të ishte një atraksion i rregullt. 

“Ne ishim atje natën e kaluar dhe kishte një tavolinë pranë nesh që kishte të njëjtën shfaqje”, ka thënë ai për Keystone.

Një video promovuese për barin tregonte gjithashtu njerëz që mbanin shishe shampanje me fishekzjarrë që shpërthenin në vend.

Moretti e kishte blerë barin bashkë me gruan e tij në vitin 2015, tregojnë të dhënat e kompanisë zvicerane. Që atëherë, sipas rrëfimeve të dëshmitarëve dhe raporteve të mediave lokale në atë kohë, është rinovuar në mënyrë të konsiderueshme.

Dëshmitarët përshkruan një shkallë të vetme që të çonte nga bodrumi në tarracën e mbyllur, me një derë të vogël në fund, ku njerëz të dëshpëruar që përpiqeshin të shpëtonin nga të dy katet mbetën të bllokuar. Nuk është ende e qartë nëse kishte dalje të tjera emergjence.

Laetitia Place, 17 vjeç, ka thënë se sapo kishte hyrë në zonën e bodrumit duke pritur të takonte miqtë kur zjarri shpërtheu dhe u përhap me shpejtësi në tavan.

“Pashë një mik timin, dhe pastaj pamë zjarrin, dhe u ngjitëm menjëherë lart”, ka thënë ajo për Reuters.

“Shkallët e para janë mjaft të lehta për t'u kaluar pasi janë të gjera”, ka shtuar ajo.

“Por pas kësaj, është dera e vogël ku të gjithë po shtynin, dhe kështu të gjithë ramë. Ishim grumbulluar mbi njëri-tjetrin, disa njerëz po digjeshin, dhe disa ishin të vdekur pranë nesh”, ka rrëfyer ajo momentet e vështira. 

Clavier, i cili ishte gjithashtu në bodrum, ka thënë se ishte bllokuar nga një masë njerëzish. Ai ka treguar se ishte mbrojtur nga nxehtësia përmes një tavoline ndërsa priste që turma të pakësohej.

“Nuk mund të shihnim asgjë fare, pasi nuk kishte dritë”, u ka thënë ai gazetarëve të premten. 
“Kishte një derë 1.5 metra të gjerë nga e cila duhej të dilnin rreth dy ose treqind njerëz. Njerëzit binin në tokë pasi asfiksoheshin”.

Të tjerë kanë përshkruar se kishin parë njerëz të bllokuar brenda duke goditur xhamin e fortë derisa ai ishte hapur. Clavier ka thënë se kishte arritur të dilte pasi kishte goditur një dritare me një tavolinë dhe e kishte shkelmuar atë.

Ekipet e emergjencës kanë mbërritur në vendngjarje brenda pak minutash, ka thënë policia, por zjarri është përhapur aq shpejt sa për shumë njerëz ishte tepër vonë. 

Qendra të improvizuara të ndihmës janë ngritur në kafenetë aty pranë. 

“Pamë njerëz të djegur pa flokë, pa rroba sepse ishin djegur shumë”, ka thënë Jeremy Halna, një student 22-vjeçar që kishte ardhur për vizitë nga Franca. Ai ka treguar se i kishte ndihmuar disa prej atyre që po iknin nga flakët në natën e acartë.

Një “shkëlqim” vdekjeprurës

Shumë njerëz në qytet kanë përshkruar një kërkim të dhimbshëm për miqtë e humbur në trazirë dhe fëmijët që nuk u kthyen kurrë nga nata e tyre e daljes.

Zjarri i kishte djegur viktimat aq rëndë sa hetuesit kanë thënë se do t'u duheshin ditë për të identifikuar trupat.

“Nuk e di nëse ai madje mund të njihet”, ka thënë Laetitia Brodard-Sitre, djali 16-vjeçar i së cilës, Arthur, i dërgoi asaj një mesazh me tekst për Vitin e Ri nga Le Constellation rreth një orë para se të fillonte zjarri.

“E tëra çfarë dua është të gjej djalin tim dhe të jem pranë tij, qoftë gjallë apo i vdekur”, ka shtuar ajo.

Ekspertët e sigurisë nga zjarri të intervistuar nga Reuters kanë thënë se provat tregojnë një skenar të njohur: flakët e ndezura nga fishekzjarrët e brendshëm dhe piroteknikët e tjerë kanë marrë qindra jetë në bare dhe klube nate.

“Klubet e natës nuk janë vende të mësuara me sigurinë nga zjarri”, ka thënë Milad Haghani, profesor i asociuar i rezistencës urbane dhe lëvizshmërisë në Universitetin e Melburnit. Ai ka vënë në dukje rrezikun nga izolimi i ndezshëm ndaj zhurmës, që gjendet zakonisht në fatkeqësi të tilla.

Kur sipërfaqet e ndezshme ndizen në hapësira të mbyllura, mund të ndodhë një i ashtuquajtur “shpërthim i shpejtë”, ku pothuajse çdo gjë në një dhomë shpërthen në flakë menjëherë.

“Zjarri kërkon oksigjen për t’u përhapur; ky është mekanizmi i tij fizik”, ka thënë Olivier Burnier, një partner në kompaninë zvicerane të konsulencës për sigurinë nga zjarri Fire Safety & Engineering SA. 
“Kjo është arsyeja pse patëm atë që njerëzit e përshkruan si shpërthim”, ka shpjeguar ai.

Sipas ligjit zviceran, çdo vend që mban më shumë se 100 persona duhet të ketë të paktën dy dalje 90 centimetrash, ka thënë ai. Për ato që mbajnë mbi 200 persona, njëra dalje duhet të jetë 90 centimetra dhe tjetra të paktën 120 centimetra.

Prokurorja Pilloud, ka thënë se hetuesit do të shqyrtojnë masat e sigurisë në bar, duke përfshirë daljet dhe fikëset e zjarrit.

Një person i njohur me lokalin, i cili ka kërkuar të mos identifikohej, ka thënë se një sistem spërkatës uji ishte instaluar nga pronari i mëparshëm. 

Reuters nuk ka mundur të përcaktonte nëse një sistem i tillë ishte në funksion natën e zjarrit. Të paktën një dëshmitare ka treguar se nuk kishte parë asnjë shenjë të një të tille ndërsa po largohej nga ndërtesa.