Pakistani nuk do të marrë ujë nga lumenjtë mbi të cilët India ka të drejta, ka deklaruar të enjten kryeministri indian, Narendra Modi.
Deklarata vjen një muaj pas një sulmi vdekjeprurës në Kashmirin Indian që bëri që Nju Delhi të pezullonte një traktat kyç për ndarjen e ujit të lumenjve midis fqinjëve, raporton Reuters.
Pezullimi i Traktatit të Ujërave të Indusit, i negociuar nga Banka Botërore në vitin 1960, ishte një nga masat e shpallura nga India kundër Pakistanit muajin e kaluar, pas sulmit të 22 prillit që la të vdekur 26 burra, kryesisht turistë hindu.
Nju Delhi kishte thënë se sulmi ishte mbështetur nga Pakistani, një akuzë e mohuar nga Islamabadi.
Fqinjët e armatosur me armë bërthamore janë përfshirë në luftimet e tyre më të këqija ushtarake në gati tre dekada përpara se të binin dakord për një armëpushim më 10 maj.
“Pakistani do të duhet të paguajë një çmim të rëndë për çdo sulm terrorist. Ushtria e Pakistanit do ta paguajë atë, ekonomia e Pakistanit do ta paguajë atë”, ka thënë Modi në një ngjarje publike në shtetin veriperëndimor të Rajasthan, i cili kufizohet me Pakistanin.
Traktati Indus siguron ujë për 80% të fermave të Pakistanit nga tre lumenj që rrjedhin nga India, por ministri i Financave të Pakistanit ka thënë këtë muaj se pezullimi i tij nuk do të kishte "ndonjë ndikim të menjëhershëm".
Armëpushimi midis vendeve po vazhdon dhe aktualisht nuk ka shkëmbim zjarri.
India dhe Pakistani kanë një marrëdhënie të trazuar që kur u ndanë nga India Britanike në vitin 1947, dhe kanë zhvilluar tri luftëra, dy prej tyre për rajonin Himalajan të Kashmirit, të cilin të dy e pretendojnë plotësisht, por e sundojnë pjesërisht.