Një javë pas operacionit amerikan që çoi në kapjen e presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro, detajet rreth inteligjencës dhe planifikimit të misionit po bëhen gjithnjë e më të qarta. Megjithatë, disa mistere të mëdha vazhdojnë të mbeten pa përgjigje.
Inteligjenca
Operacioni kishte kërkuar muaj të tërë planifikimi dhe mbledhjeje informacioni. Në muajin gusht, besohet se CIA kishte dërguar një ekip oficerësh të fshehtë në Venezuelë.
Meqë SHBA-ja nuk ka ambasadë funksionale në këtë vend, ekipi nuk mund të përdorte mbulesë diplomatike dhe operonte në atë që në botën e inteligjencës quhet një “zonë e ndaluar”. Detyra e tyre ishte të identifikonin objektiva dhe të rekrutonin persona që mund të ndihmonin operacionin.
Zyrtarë amerikanë kanë bërë të ditur se kishin një burim kyç, i cili siguronte informacione shumë të detajuara për lëvizjet e Maduros – informacione që ishin vendimtare për suksesin e misionit. Edhe pse identiteti i burimeve të tilla zakonisht ruhet me kujdes ekstrem, shpejt u bë e ditur se bëhej fjalë për një burim “qeveritar”, shumë pranë rrethit të ngushtë të Maduros.
Kjo ka nxitur spekulime të shumta se kush mund të ketë qenë ky person dhe çfarë ka ndodhur me të pas operacionit. Megjithatë, identiteti i tij vazhdon të mbetet sekret.
E gjithë inteligjenca njerëzore në terren u kombinua me informacione teknike, si hartëzimi dhe imazhet satelitore, duke krijuar një “mozaik” të detajuar për planifikimin e operacionit.
Misioni
Shkalla, shpejtësia dhe suksesi i operacionit janë cilësuar si të paprecedentë.
“Gjithçka funksionoi si orë zvicerane. Kjo nuk ndodh shpesh. Nuk janë taktikat ushtarake ato që e drejtojnë operacionin, por inteligjenca”, ka deklaruar David Fitzgerald, ish-shef i operacioneve të CIA-s për Amerikën Latine.
Rreth 150 mjete ajrore u përfshinë në mision, ndërsa helikopterët fluturuan shumë ulët mbi terren për të arritur në kompleksin ku ndodhej Maduro.
Një nga misteret kryesore mbetet mënyra se si SHBA-ja arriti të fikë energjinë elektrike në Karakas, duke lehtësuar hyrjen e forcave speciale.
“Dritat e Karakasit u fikën kryesisht falë një ekspertize që ne e kemi – ishte errësirë dhe ishte vdekjeprurëse”, deklaroi presidenti amerikan Donald Trump.
Fakti që Komanda Kibernetike e SHBA-së u falënderua publikisht për rolin e saj ka nxitur spekulime se hakerë ushtarakë amerikanë kishin depërtuar paraprakisht në rrjetet venezueliane për të çaktivizuar rrjetin elektrik në momentin e duhur. Megjithatë, detajet mbeten të kufizuara.
Dështimi i mbrojtjes ajrore kineze dhe ruse ka ngritur gjithashtu pikëpyetje për përdorimin e teknologjive të avancuara të luftës elektronike dhe bllokimit të sinjaleve. Edhe Komanda Hapësinore e SHBA-së është përmendur për krijimin e një “korridori” satelitor që lejoi forcat speciale të hynin pa u vënë re.
Besohet se janë përdorur edhe dronë stealth (mjete pa pilot), por detajet e sakta pritet të mbeten sekrete për një kohë të gjatë.
Përplasja
Ekspertët e operacioneve komplekse theksojnë se është e rrallë që gjithçka të shkojë sipas planit. Një helikopter u godit, por arriti të vazhdonte fluturimin dhe askush nga forcat amerikane nuk u vra.
Ende ka pak informacione për përplasjen e armatosur në kompleksin Fuerte Tiuna. Qeveria kubane ka deklaruar se 32 shtetas të saj janë vrarë nga forcat amerikane. Ishin truproja të Maduros, të ofruar nga Kuba, e cila siguron edhe mbështetje më të gjerë të sigurisë për regjimin venezuelian.
“Sipas gjasave, në rrethin e afërt të Maduros nuk kishte pothuajse asnjë oficer venezuelian, ndërsa në perimetrin e jashtëm kishte një përzierje forcash”, shpjegon Fitzgerald për BBC-në.
Dobësia e rezistencës ka ngritur dyshime se disa elementë të regjimit mund ta kenë lehtësuar operacionin.
Forcat amerikane e kapën Maduros teksa po përpiqej të mbyllej në një dhomë të blinduar sigurie, përpara se të arrinte ta mbyllte derën. Ushtarët kishin mjete shpërthyese dhe pishtarë për ta hapur derën me forcë, por shpejtësia e kapjes tregon njohuri shumë të detajuara të strukturës së kompleksit.
Plani pas operacionit
Para operacionit, CIA kishte kryer vlerësim të klasifikuar për pasojat e mundshme të largimit të Maduros nga pushteti.
Sipas raportimeve, analistët arritën në përfundimin se bashkëpunimi me elementë të regjimit ekzistues ofronte më shumë gjasa për stabilitet sesa vendosja në pushtet e opozitës në mërgim. Kjo forcoi bindjen se SHBA-ja duhet të punonte me zëvendëspresidenten Delcy Rodriguez.
Mendohet se kanë ekzistuar kontakte të fshehta dhe kanale komunikimi me pjesë të regjimit të Maduros para operacionit, për të diskutuar skenarë të ndryshëm dhe pozicionime të mundshme pas tij.
Detajet e këtyre kontakteve mbeten misterioze, por ato ndihmojnë të kuptohet pse operacioni ndodhi, pse ishte i suksesshëm dhe çfarë mund të ndodhë më tej.