Ministri suedez i Migracionit ka thënë se “është shokuar dhe tronditur” pasi ka kuptuar për përfshirjen e djalit të tij në grupe të ekstremit të djathtë.
Johan Forsell, partia e qendrës e së cilit është në koalicion qeverisës që varet nga demokratët e ekstremit të djathtë, ka thënë të enjten se është kontaktuar disa javë më herët nga autoritetet e sigurisë në Suedi, për aktivitetet e djalit të tij 16-vjeçar.
Ministri ka vendosur të dalë publikisht për rastin pasi revista “Expo” raportoi se “një i afërm i ministrit suedez” ka qenë aktiv në grupet e dhunshme të ekstremit të djathtë.
Pavarësisht se e ndjek të birin në rrjete sociale, ku djali i tij vërehet se përcjell aktivistë e influencues të ekstremit të djathtë, Forssell ka thënë se nuk ka pasur ide për përfshirjen e tij në këto aktivitete deri kur u kontaktua nga gazetarët.
“Si një baba, jam i shokuar, jam i tmerruar. Kam një djalë 15-vjeçar thellësisht të penduar, që sapo ka mbushur 16 vjet. Këto aktivitete kanë mbaruar, por bisedat tona, sigurisht do të vazhdojnë”, ka thënë ai për TV4.
Duke shkruar në rrjete sociale, ministri ka thënë se shpreson se kjo do t’ua hapë sytë prindërve të tjerë, duke thënë se zbulimi nxjerr në pah një çështje të rëndësishme për shoqërinë.
“Sa në të vërtetë dimë se çka bëjnë fëmijët tanë në rrjete sociale dhe si mund t’i mbrojmë nga rrëshqitja në diçka që nuk e duam?” ka shkruar ai.
Forssell ka thënë se djali i tij nuk është i dyshuar për ndonjë krim.
Ekstremizmi i djathtë ka qenë i pranishëm në Suedi tash e sa kohë, por ekspertët kanë thënë se ka nisur të ndryshojë drejt grupeve më të vogla, kryesisht që lidhen me fitnese që rekrutojnë djem të rinj në grupe të mediave sociale, para se të kalojnë në platforma të tjera private.
Forssell ka thënë se synon të mbesë në postin e tij ministror.