Botë

Ministri iranian thotë se SHBA-ja “e hodhi në erë” diplomacinë, paralajmëron përgjigje

Abbas Araghchi

Abbas Araghchi

Foto: Associated Press

Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur “ta hedhin në erë” diplomacinë. SHBA-ja ka goditur tri objekte bërthamore të Iranit në mëngjesin e të dielës, raporton "CNN".

“Javën e kaluar, ne ishim në negociata me SHBA-në kur Izraeli  vendosi ta hidhte në erë diplomacinë. Këtë javë, ne zhvilluam bisedime me E3/EU (grup të ministrave evropianë) kur SHBA-ja vendosi ta hedhë në erë atë diplomaci”, ka shkruar Araghchi në platformën “X”. “Për Britaninë dhe përfaqësuesen e lartë të BE-së, është Irani ai që duhet të ‘kthehet’ në tryezën e bisedimeve. Por, si mund të kthehet Irani në diçka që nuk e la kurrë, e lëre më ta hedhë atë në erë?”

Ai ka thënë se Shtëpia e Bardhë “luftënxitëse” është “plotësisht përgjegjëse” për pasojat dhe veprimet. 

“Republika Islamike e Iranit dënon me fjalët më të ashpra agresionin brutal ushtarak të Shteteve të Bashkuara kundër objekteve bërthamore paqësore të Iranit. Është një shkelje e egër, e rëndë dhe e pashembullt e parimeve themelore të Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe të drejtës ndërkombëtare”, tha Araghchi në një konferencë për media në Stamboll të dielën. “Administrata luftënxitëse në Washington është e vetmja dhe plotësisht përgjegjëse për pasojat e rrezikshme dhe implikimet e gjera të aktit të saj të agresionit”. 

Araghchi ka thënë se nuk ka më “shumë hapësirë për diplomaci”. 

“Ata kaluan një vijë të kuqe shumë të madhe duke sulmuar objektet bërthamore...Ne duhet të reagojmë bazuar në të drejtën tonë për vetëmbrojtje”, tha Araghchi. 

Araghchi ka akuzuar presidentin e SHBA-së, Donald Trump, se ka tradhtuar si popullin iranian ashtu edhe atë amerikan.

“Ndërsa presidenti Trump u zgjodh me një platformën për t’i dhënë fund përfshirjes së kushtueshme të Amerikës në luftëra të përjetshme në pjesën tonë të botës, ai ka tradhtuar jo vetëm Iranin duke abuzuar me angazhimin tonë ndaj diplomacisë, por ka mashtruar edhe votuesit e tij duke iu nënshtruar misionit të një krimineli lufte të kërkuar, i cili është mësuar t'i shfrytëzojë jetën dhe pasurinë e qytetarëve amerikanë për t'i çuar më tej objektivat e regjimit izraelit”, tha Araghchi.

Ai ka thënë se është në bisedime me disa ministra të jashtëm të rajonit, të “gjithë shumë të shqetësuar” dhe janë të interesuar të luajnë rol në ndaljen e “agresionit izraelit”. 


 

Lexo përditësimet tjera
Donald Trump

SHBA-ja godet Iranin

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë sulmuar tri objekte...