Botë

Ministri i Mbrojtjes i Venezuelës: Në aksionin e SHBA-së u vra ekipi i sigurisë së Maduros

Vladimir Padrino

Një pjesë e madhe e ekipit të sigurisë së ish-presidentit Nicolas Maduro u vra në bastisjen amerikane që çoi në kapjen e udhëheqësit të shtunën, tha Ministri i Mbrojtjes i Venezuelës, Gjenerali Vladimir Padrino, në një deklaratë televizive të dielën në mëngjes.

Padrino nuk dha një shifër të saktë të viktimave, por mbështeti shpalljen e zëvendëspresidentes Delcy Rodriguez si presidente e përkohshme dhe tha se forcat e armatosura janë aktivizuar në të gjithë vendin për të garantuar sovranitetin.

Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, u arrestua dhe u nxorr nga Venezuela në një aksion në shkallë të gjerë të kryer nga forcat amerikane në kryeqytetin Karakas, siç ka bërë të ditur presidenti amerikan, Donald Trump. Bashkë me Maduron është kapur edhe gruaja e tij.

Trumpi ka thënë se nga aksioni i madh i SHBA-së nuk ka pasur vdekje në palën amerikane.

Administrata Trump fajëson Maduron për qindra mijëra emigrantë venezuelas që hyjnë në SHBA.

Pa ofruar prova, Trumpi akuzon Maduron për "zbrazjen e burgjeve dhe azileve të tij të të çmendurve" dhe "detyrimin" e të burgosurve të saj të emigrojnë në SHBA.

Presidenti amerikan gjithashtu pretendon se qeveria venezueliane po lejon që paratë e naftës të financojnë krimin e lidhur me drogën, duke pretenduar se vetë Maduro është një udhëheqës karteli.

Maduro e mohon fuqishëm këtë dhe akuzon SHBA-në se po përdor "luftën e saj kundër drogës" si një justifikim për të provuar ta rrëzojë atë dhe të hyjë në rezervat e mëdha të naftës të Venezuelës.