Botë

Ministri i Jashtëm polak në Kiev: Bisedime për Ukrainën dhe dronët rusë në Poloni

Radosław Sikorski

Ministri i Jashtëm polak Radosław Sikorski po qëndron në një vizitë në Kiev.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andriy Sybiga, ka publikuar një imazh ku shfaqet duke u takuar me homologun e tij polak, në një stacion treni në Kiev.

“Në sfondin e përshkallëzimit të terrorit nga Rusia kundër Ukrainës dhe provokimeve ndaj Polonisë, ne qëndrojmë fort së bashku”, shkroi Sybiga në rrjetet sociale.

“Sot do të zhvillojmë bisedime të rëndësishme për sigurinë tonë të përbashkët, anëtarësimin e Ukrainës në BE dhe NATO, si dhe presionin ndaj Moskës”, shtoi ai.

Ndërkohë Ministria e Jashtme e Polonisë ka konfirmuar se Sikorski është takuar këtë mëngjes në Kiev edhe me sekretaren e Jashtme të Britanisë së Madhe, Yvette Cooperm raporton The Guardian.

Ata kanë biseduar për situatën në Ukrainë dhe për sigurinë e krahut lindor të NATO-s, sidomos pas rastit kur disa dronë rusë kanë hyrë në territorin e Polonisë, njoftoi ministria.

Në takim mori pjesë edhe këshilltari për siguri kombëtare i Britanisë, Jonathan Powell.

Ndërkohë, Marcin Przydacz, këshilltari më i lartë për politikën e jashtme i presidentit të Polonisë, Karol Nawrocki ka deklaruar në një intervistë për radion “Radio Zet” se numri i dronëve rusë që kanë kaluar në territorin polak ka shkuar në 21.

Ai tha se jo të gjithë dronët janë gjetur ende. Deri mbrëmë, Ministria e Brendshme e Polonisë kishte konfirmuar se janë gjetur 17 prej tyre.

Przydacz paralajmëroi gjithashtu për një fushatë dezinformimi nga Rusia, që sipas tij, po përpiqet t’i bindë njerëzit se dronët janë ukrainas. Ai theksoi se autoritetet polake janë të qarta se dronët ishin rusë dhe janë nisur nga territori i Rusisë.