Botë

Ministri i Jashtëm holandez jep dorëheqje pasi s’arrin t’i vë sanksione Izraelit

Caspar Veldkamp

Ministri i Jashtëm holandez, Caspar Veldkamp, ka dhënë dorëheqje të premten pasi dështoi të siguronte sanksione të reja kundër Izraelit për luftën në Gazë.

Veldkamp e kishte informuar Parlamentin se synonte masa të reja në përgjigje të ofensivës së planifikuar të Izraelit në qytetin e Gazës dhe zonat tjera të populluara, por nuk mundi të siguronte mbështetjen nga partnerët e koalicionit.

Ish-ambasadori në Izrael ka thënë se nuk qe në gjendje ta zbatonte vetë këtë politikë, raportoi AP.

Pas dorëheqjes së tij, edhe anëtarët e mbetur në kabinet nga partia e tij e qendrës së djathtë po ashtu dhanë dorëheqje.

Qeveria holandeze ra në qershor kur deputeti Geert Wilders u tërhoq nga koalicioni katërpartiak për shkak të një debati rreth imigracionit. Tri partitë e mbetura qëndruan në qeveri të përkohshme deri në mbajtjen e zgjedhjeve në tetor.