Botë

Ministri gjerman: Evropa të mbrojë tregun e ta bindë SHBA-në për negociata

Johann Wadephul

Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, ka kritikuar kërcënimin e presidentit amerikan, Donald Trump, për vendosjen e tarifës 50 për qind ndaj mallrave të Bashkimit Evropian. Ai ka thënë se një vendim i tillë do ta dëmtonte Evropën, por edhe SHBA-në.

“Mendoj se tarifa të tilla nuk i sjellin dobi askujt, por vetëm do të çonin në vuajtje zhvillimin ekonomik në të dyja tregjet. Kështu që ne ende mbështetemi te negociatat, dhe mbështesim Komisionin Evropian në mbrojtjen e Evropës dhe tregut evropian, duke punuar njëkohësisht për të bindur Amerikën  për negociata”, ka thënë ai në një konferencë për media të premten në Berlin.

Trumpi gjatë ditës kërcënoi me vendosje 50 për qind për të gjitha importet nga BE-ja dhe tarifë 25 për qind për produktet e Appleit nëse iPhonet nuk prodhohen në Amerikë.

Ai ka thënë se ky vendim do të hyjë në fuqi nga 1 qershori për shkak të ngecjes së negociatave.