Procesi i vaksinimit kundër sëmundjeve që kërcënojnë seriozisht jetën e fëmijëve, ka ngecur në dy dekadat e fundit, madje ka bërë kthim mbrapa në disa shtete, kanë bërë të ditur disa studime globale.
Situata është përkeqësuar edhe më tej nga pandemia Covid-19, duke lënë miliona fëmijë të pambrojtur nga sëmundjet fruthi, tuberkulozi dhe poliomieliti.
Studiuesit janë duke bërë thirrje që të krijohen kushte për të siguruar qasje më të barabartë në vaksinimin e fëmijëve.
Ekspertët e shëndetit të fëmijëve kanë paralajmëruar se ka shkurtime të buxhetit ndërkombëtarisht në programet e vaksinimit, duke e kombinuar edhe me skepticizmin për vaksinim të cilat bashkë krijojnë “stuhi perfektë”.
Programi global i vaksinimit ka qenë një sukses i jashtëzakonshëm.
Që nga viti 1974 më shumë se katër miliardë fëmijë janë vaksinuar, duke parandaluar vdekjen e 150 milionë fëmijëve në mbarë botën.
Në gati gjysmë shekulli deri në vitin 2023, studiuesit thonë se mbulimi me vaksina është dyfishuar.
Por që nga viti 2010, procesi ka stagnuar, deri në masën që tani ka ndryshime të mëdha në mbulimin e vaksinave në të gjithë botën.
Studimi i publikuar nga revista mjekësore “The Lancet” ka thënë se vaksinimet kundër fruthit kanë rënë në gati 100 vende.
Pandemia Covid-19 i ka përkeqësuar edhe më tej gjërat, për shkak të ndërprerjes së programit të vaksinimit gjatë mbylljes.
Deri në vitin 2023, kishte gati 16 milionë fëmijë që nuk kishin bërë asnjë vaksinim për fëmijërinë - shumica e tyre në Afrikën Sub-Sahariane dhe Azinë Jugore.
Autori i studimit, Dr. Jonathan Mosser, nga Instituti për Metrikat dhe Vlerësimin e Shëndetit në Universitetin e Washingtonit, në Shtetet e Bashkuara, thotë se një numër i madh fëmijësh mbeten të pavaksinuar.
“Vaksinimet rutinë të fëmijërisë janë ndër ndërhyrjet më të fuqishme dhe më efektive nga ana e kostos në shëndetin publik, por pabarazitë e vazhdueshme globale, sfidat nga pandemia Covid dhe rritja e dezinformimit dhe hezitimit për vaksinat kanë kontribuar të gjitha në ngadalësimin e progresit të imunizimit", tha ai.
Dr. Mosser tha se tani kishte një rrezik në rritje të shpërthimeve të sëmundjeve si fruthi, poliomeliti dhe difteria.
Të gjithë fëmijët duhet të përfitojnë nga vaksinimet që shpëtojnë jetë, shtoi ai.
Vazhdon të ketë mospërputhje të mëdha midis normave të vaksinimit në vendet më të pasura dhe ato me të ardhura të ulëta.
Por autorët e studimit paralajmërojnë se normat e vaksinimit kanë rënë edhe në Evropë, SHBA dhe vendet tjera të pasura.
Profesori, Sir Andrew Polland, drejtor i Grupit të Vaksinave të Oksfordit, thotë se gjetjet paraqesin një pamje shqetësuese.
“Më shumë fëmijë do të shtrohen në spital, do të dëmtohen përgjithmonë dhe do të vdesin nga sëmundje plotësisht të parandalueshme nëse ky trend nuk ndalet.
“Mjerisht, shkurtimet në buxhetet globale të shëndetësisë nënkuptojnë se kjo situatë do të përkeqësohet”, tha Pollard.
Dr. David Elliman, nga University College London, thotë se shumë faktorë kanë kontribuar në situatën aktuale.
“Në të gjithë botën, numri në rritje i vendeve të shkatërruara nga trazirat civile dhe luftërat, i kombinuar me shkurtimet drastike të ndihmës së huaj nga vendet e pasura, si SHBA-të dhe Mbretëria e Bashkuar, e bën të vështirë sigurimin e vaksinave për shumë popullata”, tha ai.
“Kur duket se politika po bëhet në bazë të opinionit të keqinformuar, në vend të shkencës, kemi një ‘stuhi të përsosur’”, shtoi Dr. Elliman.
Hulumtuesit rekomandojnë që të gjitha vendet të përpiqen të forcojnë sistemet e kujdesit shëndetësor parësor dhe të luftojnë dezinformimin rreth vaksinave për të parandaluar që prindërit të hezitojnë për vaksinimin e fëmijëve të tyre.
Ata gjithashtu bëjnë thirrje për një përpjekje të përbashkët për të siguruar qasje më të mirë dhe më të barabartë në vaksina në të gjithë botën.