Botë

Merz: Do të bëj gjithçka për të ruajtur marrëdhënien e mirë SHBA-Evropë

Friedrich Merz

Foto: Associated Press

E përditësuar (14:31) - Lideri i CDU-së, Friedrich Merz, partia e të cilit ka fituar në zgjedhjet e së dielës në Gjermani, ka thënë se do të bëjë gjithçka për të ruajtur marrëdhënien e mirë mes SHBA-së dhe Evropës.

“Nëse marrëdhëniet transatlantike do të shkatërroheshin do të ishte e dëmshme për Evropën, por do të ishte gjithashtu shumë negative për SHBA-në”, ka thënë Merz, duke folur për politikën e Trump-it “Amerika së pari”, ka thënë Merz.

"Kështu që unë do të bëj gjithçka në fuqinë time për të ruajtur këtë marrëdhënie të mirë transatlantike me të cilën jam njohur”, ka shtuar ai. 

Në një konferencë për media të hënën, Merz është pyetur nëse ai i ka "djegur urat" në një plan për të bërë një marrëveshje me presidentin e SHBA-së Donald Trump pas thirrjeve të tij më herët që Evropa të bëhet e pavarur nga SHBA-ja.

Ai ripërsërit se të gjitha sinjalet që vijnë nga SHBA-ja e bëjnë të qartë se interesi dhe vullneti për t'u angazhuar me Evropën "po pakësohet".


Merz thotë se mund ta krijojë qeverinë vetëm me socialdemokratët

Friedrich Merz, partia e të cilit CDU ka fituar në zgjedhjet e parakoshme nacionale të Gjermanisë të dielën, ka deklaruar se konservatorët “kanë një mandat të qartë” për të formuar qeverinë.

Duke folur në një konferencë për media të hënën, Merz ka thënë se CDU-ja tani ka 11 vende shtesë në parlament, raporton BBC.

Ai ka thënë se kjo i mundëson partisë së tij që të qeverisë vetëm me socialdemokratët si partnerë koalicioni.

"Kjo është ajo që ne duam”, ka thënë Merz. 

Sipas tij, partia e tij do të flasë me krerët e socialdemokratëve në ditët në vijim.
Ai ka falënderuar 40 milionë votuesit që i votuan, teksa ka përshëndetur rritjen e partisë prej 4,4% dhe 3 milionë vota më shumë se në vitin 2021.