Botë

Merz paralajmëron: Nuk ekziston më rendi botëror i bazuar në rregulla

Friedrich Merz

Rendi botëror i bazuar në rregulla “nuk ekziston më”, ka paralajmëruar kancelari gjerman Friedrich Merz para liderëve botërorë në një samit të madh sigurie, shkruan BBC.

Duke hapur Konferencën vjetore të Sigurisë në Munih, ai ka thënë se “liria jonë nuk është e garantuar” në një epokë të politikës së fuqive të mëdha dhe se evropianët duhet të jenë të gatshëm për “sakrifica”.

Merzi pranoi gjithashtu se “është hapur një ndarje e thellë mes Evropës dhe Shteteve të Bashkuara” – një referencë e qartë ndaj presidentit amerikan Donald Trump, i cili ka kërcënuar sovranitetin e Danimarkës duke premtuar aneksimin e Grenlandës, si dhe ndaj politikave të tij tarifore ndaj vendeve të tjera evropiane.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, i cili po e dëgjonte fjalimin e Merzit dhe pritet të mbajë fjalim të shtunën, kishte folur më herët për një “epokë të re në gjeopolitikë”.

Rreth 50 liderë botërorë pritet të marrin pjesë në këtë edicion të Konferencës së Sigurisë në Munih – mes tyre edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti - ku në fokus do të jenë mbrojtja evropiane dhe e ardhmja e marrëdhënieve transatlantike.

Konferenca zhvillohet në një kohë kur angazhimet e SHBA-së ndaj aleancës ushtarake të NATO-s janë vënë në pikëpyetje. Ambicia e Trumpit për të marrë Grenlandën është parë nga shumë liderë evropianë si një moment kthese që ka minuar besimin ndaj aleatit më të madh të kontinentit.

Në agjendë janë gjithashtu lufta Rusi-Ukrainë, tensionet mes Perëndimit dhe Kinës, si dhe mundësia e një marrëveshjeje bërthamore mes Iranit dhe SHBA-së.

“Kam frikë se duhet ta themi edhe më hapur: ky rend, sado i papërsosur që ishte edhe në momentet e tij më të mira, nuk ekziston më në atë formë”, u shpreh Merz.

Ai shtoi se përçarja dhe ndarja e thellë është hapur mes Evropës dhe SHBA-së. Ngjashëm pati deklaruar edhe zëvendëspresidenti amerikan JD Vance në Munih një vit më parë

“Ai (Vance) kishte të drejtë. Lufta kulturore e lëvizjes MAGA (Make America Great Again) nuk është e jona. Liria e shprehjes përfundon te ne kur ajo bie ndesh me dinjitetin njerëzor dhe kushtetutën. Ne nuk besojmë në tarifa dhe proteksionizëm, por në tregti të lirë”, deklaroi kancelari gjerman.