Kancelari i ri i Gjermanisë, Friedrich Merz, ka paralajmëruar SHBA-në që të “qëndrojnë jashtë” politikës së vendit të tij, pasi AfD-ja e ekstremit të djathtë mori mbështetje të fortë nga aleatët e presidentit amerikan, Donald Trump.
Merz, 69 vjeç, një konservator që u zgjodh të martën kancelar i ekonomisë më të madhe të Evropës, ka thënë gjithashtu se panifikon të zhvillojë një bisedë telefonike me Trumpin të enjten.
Aleanca e tij CDU/CSU ka fituar zgjedhjet e shkurtit përpara partisë kundër imigracionit Alternativa për Gjermaninë (AfD), e cila doli e dyta me më shumë se 20%, raporton The Guardian.
Gjatë fushatës, AfD-ja ka fituar mbështetje të fortë nga aleati i Trumpit, Elon Musk, miliarderi i teknologjisë, dhe zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance.
Merzi ka dënuar ato që i ka quajtur "vëzhgimet absurde" të fundit nga SHBA-ja, pa specifikuar deklarata të veçanta dhe ka thënë se "do të dëshironte të inkurajonte qeverinë amerikane ... që të qëndronte kryesisht jashtë" politikës së brendshme gjermane.
Një politikan me lidhje të gjata me SHBA-në, Merzi ka thënë se ai kishte ndjerë gjithmonë se Amerika "mund të bëjë dallimin e qartë midis partive ekstremiste dhe partive të qendrës politike".
Duke folur me transmetuesin publik ZDF të martën, Merz ka vënë në dukje se ai "nuk ka ndërhyrë në fushatën zgjedhore amerikane" që zgjodhi Trumpin.
Javën e kaluar, pasi agjencia e brendshme e inteligjencës gjermane e caktoi AfD-në një parti “ekstremiste e krahut të djathtë”, sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio e ka quajtur masën “tirani të maskuar” dhe ka thënë se “Gjermania duhet të ndryshojë kursin”.
Ndërkaq, zëvendëspresidenti Vance ka shkruar në X se "Perëndimi shembi Murin e Berlinit së bashku. Dhe ai është rindërtuar, jo nga sovjetikët apo rusët, por nga struktura gjermane."
E Musk ka marrë pjesë edhe virtualisht në një tubim të janarit për AfD-në, duke i thënë turmës se "ju vërtet jeni shpresa më e mirë" për Gjermaninë.