Botë

Meksika e refuzon planin ushtarak të Trumpit për kartelet e drogës

Claudia Sheinbaum

Presidentja meksikane, Claudia Sheinbaum, ka thënë të premten se ushtria amerikane s’do të futet në territorin e Meksikës, pas raportimeve që presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, e kishte udhëzuar Pentagonin për të shënjestruar kartelet e drogës.

“Shtetet e Bashkuara s’do të vijnë në Meksikë me ushtrinë e tyre”, ka thënë ajo. “Ne do të vazhdojmë bashkëoperimin e bashkëpunimin , por s’do të ketë pushtim. Ky skenar përjashtohet absolutisht”.
Gazeta amerikane “The New York Times” kishte raportuar të premten se Trumpi e ka nënshkruar fshehurazi një urdhër për të filluar me dislokimin e forcave ushtarake jashtë vendit.

Përmes një deklarate të lëshuar për BBC-në, në Shtëpinë e Bardhë s’e kanë adresuar këtë urdhër, porse kanë bërë të ditur se prioriteti kryesor për Trumpin është “mbrojtja e atdheut”.

Urdhri i raportuar duket se pason një tjetër urdhër ekzekutiv të nënshkruar nga presidenti amerikan më herët këtë vit, i cili i shpall zyrtarisht tetë kartele të drogës si entitete terroriste – gjashtë prej të cilave janë me origjinë nga Meksika.

Tek ka folur para gazetarëve, Sheinbaum ka theksuar se Qeveria meksikane ka qenë e vetëdijshme rreth urdhrit ekzekutiv për kartelet e drogës, dhe se “ai (urdhri) s’lidhet aspak me pjesëmarrjen e personelit ushtarak”.

“S’është pjesë e ndonjë marrëveshjeje, larg prej saj. Sa herë që është përmendur si mundësi, ne gjithmonë kemi thënë ‘JO’”, ka shtuar Sheinbaum.

Në fillim të vitit, presidentja meksikane u kishte thënë gazetarëve se vendimi i Trumpit për t’i shpallur kartelet si organizata terroriste “nuk mund të shihet si mundësi për SHBA-të që ta cenojnë sovranitetin tonë”.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka deklaruar të enjten se kjo shpallje do t’i ndihmonte Shteteve të Bashkuara që të godasin kartelet, përfshirë përmes agjencive të inteligjencës dhe Departamentit të Mbrojtjes.

“Duhet të fillojmë t’i trajtojmë ata si organizata terroriste të armatosura, jo thjesht si organizata të trafikut të drogës”, është shprehur Rubio.