Zjarri që përfshiu një qendër tregtare në qytetin Kut të Irakut ka lënë dhjetëra të vdekur dhe të lënduar, kanë raportuar mediat shtetërore.
Zjarri në qendrën tregtare ka shpërthyer të mërkurën në mbrëmje dhe tashmë është vënë nën kontroll.
Zyrtarë mjekësorë që u cituan nga agjencia e lajmeve AFP kanë bërë të ditur se 61 persona humbën jetën nga zjarri, ndërsa ekipet e kërkim-shpëtimit janë ende duke kërkuar për të zhdukurit.
“Një tragjedi dhe një fatkeqësi na ka goditur”, ka thënë guvernatori rajonal Mohammed al-Miyahi, tek ka shtuar se do të ndërmerren masa ligjore kundër pronarit të qendrës tregtare.
Pamjet në kanalin e lajmeve të INA-s tregojnë për flakët që përfshijnë disa kate të një ndërtese shumëkatëshe, teksa zjarrfikësit përpiqen t’i shuajnë ato.
Video të tjera që qarkullojnë në rrjetet sociale duket se tregojnë një numër të vogël njerëzish në çatinë e ndërtesës gjatë zjarrit, si dhe në brendësinë e djegur të qendrës tregtare.
Një numër personash u shpëtuan nga ndërtesa prej ekipeve të zjarrfikësve, ka njoftuar al-Miyahi për mediat lokale.
Ambulancat vijonin të transportojnë të lënduarit në spitalet e qytetit, i cili ndodhet rreth 160 kilometra në juglindje të Bagdadit.