Botë

Mbi 30 vende për krijimin e një organi kompensimi për dëmet e luftës në Ukrainë

Zelensky

Foto: Associated Press

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe rreth 30 vende të tjera pritet të miratojnë të martën planin për krijimin e një organi kompensimi për të paguar dëmet në Ukrainë të shkaktuara nga pushtimi rus, por se nga do të vijnë paratë mbetet ende pikëpyetje.

Miratimi pritet të ndodhë në Hagë, pas bisedimeve të paqes në Berlin me të dërguarin special të Presidentit të SHBA-së, Steve Witkoff, dhëndrin e Trumpit, Jared Kushner, dhe kancelarin gjerman Friedrich Merz, raportoi të martën “Associated Press”. 

Zelensky ka shprehur gatishmërinë për të hequr dorë nga përpjekja e vendit të tij për t'u bashkuar me NATO-n në këmbim të garancive perëndimore të sigurisë, por hodhi poshtë mundësinë për t'i lëshuar territor Rusisë.

“Këto garanci sigurie janë një mundësi për të parandaluar një valë tjetër të agresionit rus dhe ky është tashmë një kompromis nga ana jonë”, ka thënë Zelensky para gazetarëve.

Këshilli i Evropës ka lehtësuar krijimin e Komisionit Ndërkombëtar të Kërkesave, i cili do t'u lejojë ukrainasve të kërkojnë kompensim për "dëme, humbje ose lëndime" të shkaktuara nga Rusia që nga fillimi i pushtimit.

Rreth 80,000 kërkesa janë paraqitur tashmë në regjistër, i cili ndodhet në Hagë.

Këshilli i Evropës është shprehur i bindur se Rusia duhet të paguajë faturën, por nuk ka ende një mënyrë të qartë se si ta detyrojë Moskën të paguajë. Një propozim është të përdoren disa nga dhjetëra miliarda dollarët në asete të ngrira ruse që mbahen në Evropë.

25 vende duhet të nënshkruajnë që komisioni të fillojë punën, por pritet që t’i bashkohen më shumë se 30 vende.

Përveç vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, edhe Meksika, Japonia dhe Kanadaja kanë dërguar delegacione për nënshkrim.