Botë

Mbi 150 të arrestuar nga 43 shtete në një aksion global kundër trafikimit të qenieve njerëzore

Mbi 150 të arrestuar nga 43 shtete në një aksion global kundër trafikimit të qenieve njerëzore

Një aksion ndërkombëtar kundër trafikimit të qenieve njerëzore ka çuar në më shumë se 150 arrestime dhe identifikimin e mbi 1,000 viktimave.

Operacioni gjashtëditor, i cili u zhvillua në fillim të qershorit, përfshiu gati 15 mijë oficerë policie nga 43 shtete në Evropë, Azi, Afrikë dhe Amerikën Jugore, sipas Interpolit, transmeton BBC.

Aksioni kishte në shënjestër bandat kriminale të organizuara që merren me trafikimin e njerëzve – zakonisht të mitur – për qëllime të shfrytëzimit seksual, kriminalitetit të detyruar dhe lypjes.

Shumë prej viktimave të trafikimit për shfrytëzim seksual janë gra, të cilat zakonisht rekrutohen nga vende të tjera dhe dërgohen në sallone masazhi ku detyrohen të merren me prostitucion.

Operacioni – i quajtur “Zinxhiri Global” – rezultoi me 158 arrestime dhe identifikimin e edhe 205 të dyshuarve të tjerë, ndërsa u zbuluan 1,194 viktima të mundshme.

Udhëhequr nga autoritetet austriake dhe rumune, operacioni u përqendrua kryesisht në Evropë – por u kryen arrestime edhe në Tajlandë, Nigeri dhe Vietnam.