Botë

Macroni bllokohet nga eskorta e Trumpit në New York: Po pres në rrugë për ty

Emmanuel Macron

Një ngjarje e pazakontë i ka ndodhur presidentit francez, Emmanuel Macron, në New York, të hënën në mbrëmje, ku po zhvillohet Asambleja e Përgjithshme vjetore e OKB-së.

Macroni është përballur me një ndalesë të papritur në rrugë për shkak të bllokadës policore që është ngritur derisa po lëvizte eksorta e presidentit amerikan, Donald Trump. 

Sipas raportimeve, policia lokale ndaloi përkohësisht presidentin Macron dhe mbrojtjen e tij derisa po dilte nga ndërtesa e OKB-së, ku e njoftoi edhe njohjen e shtetit palestinez nga Franca. 

Ky veprim, ndonëse ndodhi në kontekstin e masave të rrepta të sigurisë që karakterizojnë vizitat e liderëve botërorë në SHBA, nuk kaloi pa një moment interesant.

“Më falni, zoti President, gjithçka është e mbyllur, qarkullimi është ndalur kudo”, i shpjegoi një oficer policie Macronit, i cili u habit.

I befasuar nga situata, Macroni vendosi të thërrasë vetë Donald Trumpin. Me shaka ai i kërkoi Trumpit që të “hapë rrugë”.

“Merrni me mend, po pres në rrugë sepse gjithçka është ndalur për ju”, u dëgjua t’i thotë Trumpit ai në telefon.