Tre faktorë e bëjnë situatën më të rrezikshme se në vitin 2020
Armëpushimi në Tigray, rajoni verior në Etiopi ku qindra mijëra njerëz janë vrarë në luftën brutale civile në mes të viteve 2020-2022, ishte shembull i arritjeve për paqen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve gjatë mandatit të Bidenit. Në nëntor të 2022-s, zyrtarët perëndimorë dhe afrikanë, nga frika se aspiratat separatiste në Tigray mund të çojnë në ndarjen e shtetit të dytë më të madh në Afrikë, detyruan qeverinë e Etiopisë dhe autoritetet e këtij rajoni që të ulnin armët.
Tre vjet më pas, kjo marrëveshje është buzë dështimit. Më 7 nëntor, autoritetet në Tigray akuzuan kryeministrin Abiy Ahmed të Etiopisë “për shkelje të hapur” të armëpushimit, duke lëshuar sulme me dronë ndaj caqeve tigrayane. Kjo u përcoll me përplasje mes forcave të Tigrayt dhe milicive të lidhura me qeverinë në zonën Afar. E kryeministri Abiy akuzoi qeverinë tigrayane se po armatoset dhe ndali rrjedhën e fondeve federale në këtë rajon.
Duke folur në parlament më 28 tetor, Abiy insistoi se qeveria e tij nuk do luftë me askënd. Por, nëse kjo ndodh, ai u shpreh se rezultati do të jetë i rëndë. “Askush nuk mund të na ndalë”.
Shefi i Shtabit në Etiopi ishte edhe më i drejtpërdrejtë. “Etiopia nuk do të ketë paqe derisa TPLF-ja të largohet”, pati thënë ai.
Në veri, gjeneralët tigrayanë po bëhen gati për luftë. Banorët e Mekelles, kryeqytet i rajonit, raportohet se po presin në radhë të gjata nëpër banka dhe dyqane për të tërhequr para dhe për t’u furnizuar.
2020
E gjithë kjo ngjarje kujton luftën e para vitit 2020. Atë kohë, qeveria federale dhe partia Fronti Çlirimtar Popullor Tigray (TPLF), që dominuan politikën etiopiane për tri dekada para se Abiy të merrte detyrën më 2018, po bëheshin gati për konflikt. Gjithsesi, tre faktorë e bëjnë situatën më të rrezikshme tash, sipas “The Economist”.
E para është ndarja e lidershipit në Tigray. Në mars, një fraksion i TPLF-së, i mbështetur nga forcat e armatosura, largoi me dhunë presidentin e përkohshëm të Tigrayt dhe vendosi një gjeneral në vend të tij. Kjo nxiti që një grup ushtarësh të pakënaqur të iknin drejt Afarit ku formuan një milici me mbështetje të qeverisë etiopiane. Së fundmi ata janë përleshur me ish-bashkëluftëtarët në Tigray.
Tjetër faktor është prishja e raporteve mes Etiopisë dhe Eritresë, ish-provincë e Etiopisë që u nda më 1993. Në vitin 2020, Eritrea dërgoi mijëra trupa të luftonin krahas ushtrisë të Etiopisë në Tigray. Por raportet u prishën pas përpjekjeve të Abiyt për t’u pajtuar me TPLF-në, armiqtë e vjetër të diktatorit eritreas Isaias Afwerki, më 2022.
Për më shumë, ambiciet e Abiyt për të marrë nën kontroll të paktën një nga portet e Eritresë në Detin e Kuq, ka nxitur edhe më tej situatën. Më 2023, ai deklaroi se për Etiopinë, një shtet me 130 milionë banorë, dalja direkte në det është çështje “ekzistenciale”. Ai po ashtu ka vënë në pikëpyetje edhe legjitimitetin e pavarësisë së Eritresë. Edhe pse kryeministri pretendon se do të preferonte një zgjidhje diplomatike, qeveria nuk i ka mbajtur të fshehta përgatitjet për luftë. Më 21 tetor, zyrtarë dhe oficerë ushtarakë etipopianë vizituan qytetin Bure, afër kufirit me Eritrenë dhe 70 kilometra nga porti i Assabit.
Baza e dronëve
Pamjet nga sateliti kanë sugjeruar se një bazë e re e dronëve është zgjeruar së fundmi. Kapaciteti i mundshëm për luftë në mes të Etiopisë dhe Eritresë ka përmbysur marrëdhëniet dhe aleancat në të gjithë Bririn e Afrikës.
Nëse ndodh lufta, Tigray do të kthehej në fushëbetejë. Prandaj zyrtarët e TPLF-së, që e shohin Abiyn si kërcënimin kryesor, kanë nisur t’i afrohen Isaias, pavarësisht mizorive të shumta të kryera nga forcat eritrease gjatë luftës së fundit.
Komandantët e Tigrayt dhe Eritresë besohet se janë në kontakt që më shumë se një vit. Gjatë vizitës së fundit në një qytet në rajonin e Tigrayt, “The Economist” ka parë forca eritrease që lëviznin lirshëm me milicitë të Tigrayt. Në një luftë të shkallës së gjerë, forcat eritrease pritet t’u dalin në ndihmë atyre të Tigrayt.
Edhe aleanca të tjera janë shkundur. Në luftën e fundit, milicitë nga rajoni i Amharas në kufi me Tigrayn, luftuan krah Etiopisë dhe Eritresë kundër TPLF-së. Por që nga 2023-ta, këto forca të njohura si Fano janë rebeluar kundër Abiyt. Në një lëvizje befasuese në shtatorin e fundit, Fano mposhti forcat qeveritare në Amhara.
Lëvizja ka shokuar Addis Ababan (kryeqytetin e Etiopisë), sipas një ish-zyrtar të Etiopisë. Ata besohet se kanë pasur ndihmën e Eritresë dhe të TPLF-së. Komandantët nga Tigray dhe Amhara, krahas Eritresë dhe rebelëve nga Oromia, së fundmi janë takuar në Sudan për të diskutuar plane të përbashkëta ushtarake.
Faktori i tretë që e bën situatën më të tensionuar në Tigray është lufta civile në shtetin fqinj Sudan, ku si tigraynët por edhe eritreasit konsiderohen aleatë të rëndësishëm të Forcave të Armatosura Sudaneze (SAF). Eritrea stërvit njësitet e kësaj ushtrie dhe grupet aleate. Aeroplanët sudanezë veçse janë parë në kryeqytetin e Eritresë duke u stërvitur. Më herët gjatë vitit, mijëra tigrayanë luftuan krah SAF-it në Kartum, kryeqytetin e Sudanit. Nëse lufta shpërthen mes Etiopisë dhe Eritresë, Isaias dhe TPLF-ja mund të llogarisin në përkrahje të pjesshme nga SAF.