Një nga liderët e lëvizjes opozitare bjelloruse, Syarhei Tsikhanouski, është liruar nga burgu pas faljes, gati pesë vjet qëndrimi pas hekurave.
Bashkëshortja e tij, politikania në ekzil, Svetlana Tsikhanouskaya, që pati marrë udhëheqjen e kauzës opozitare pas burgosjes së bashkëshortit, të shtunën ndau videon e bashkëshortit teksa e përqafonte pas lirimit.
Lirimi i tij ndodhi disa orë pasi Keith Kellogg, emisar special i presidentit amerikan Donald Trump, vizitoi Minskun dhe takoi liderin bjellorus Alexander Lukashenko, në takimin e parë të nivelit të lartë SHBA-Bjellorusi që prej shtypjes brutale pas zgjedhjeve të vitit 2020.
Në total, 14 politikanë bjellorusë janë liruar të shtunën.
My husband Siarhei is free! It’s hard to describe the joy in my heart.
Thank you, 🇺🇸 @POTUS, @SPE_Kellogg, @JohnPCoale, DAS Christopher W. Smith, @StateDept & our 🇪🇺 allies, for all your efforts.
We’re not done. 1150 political prisoners remain behind bars. All must be released. pic.twitter.com/MhngqBHFq3
Tsikhanouski pati nxitur turmat anti-Lukashenko para zgjedhjeve të manipuluara presidenciale të 2020-s. Ai ishte arrestuar menjëherë pasi shpalli kandidaturën.
Më pas u dënua me 18 vjet burgim, në një rast që ishte cilësuar si i motivuar politikisht për “nxitje urrejtjeje e mosdurim”.
Bashkëshortja e tij u bë liderë opozitare, para se të ikte në drejtim të Lituanisë, nga ku udhëhoqi lëvizjet për rezistencë ndaj regjimit të Lukashenkos.
“Bashkëshorti im... është i lirë! Është e vështirë të përshkruhet kënaqësia në zemrën time”, ka shkruar ajo në rrjete sociale, tek ka falënderuar Trumpi, Kellogun dhe aleatët evropianë. “Nuk ka marrë fund. 1150 të burgosur politikë mbeten në burgje. Të gjithë duhet të lirohen”.
Në verën e 2020-s, Bjellorusia u përball me protestat më të mëdha deri sot. Mbi 200 mijë njerëz demonstruan, duke kundërshtuar zgjedhjet në të cilat Lukashenko shpalli fitore me mbi 80 për qind të votave. Lukashenko njihet për afërsinë me Rusinë dhe Vladimir Putinin. Madje shteti i tij u bë pikë lansimi për nisjen e luftës ndaj Ukrainës në shkurt të vitit 2022.