Ish-shefja e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian e që udhëhoqi edhe negociatat në dialogun Kosovë-Serbi, Federica Mogherini, është liruar pas marrjes në pyetje nën dyshimin për mashtrim lidhur me financimin e një akademie për diplomatët e rinj, raporton “Euractiv”.
Gjithashtu është liruar edhe zyrtari i lartë i Komisionit Evropian, Stefano Sannino, i cili ka qenë sekretar i përgjithshëm në kohën sa Mogherini udhëhiqte shërbimin e Jashtëm të BE-së. Edhe Cesare Zegretti, punonjës i Kolegjit të Evropës, i përfshirë në departamentin e Edukimit, u lirua.
Policia belge ka thënë se të tre nuk përbëjnë rrezik për hetimet prandaj janë liruar.
Hetimet ndaj tre të pandehurve lidhen me dyshimet për keqpërdorim të fondeve të BE-së nga Shërbimi Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS) dhe Kolegji i Evropës, së cilit i priu Federica Mogherini si presidente, në vitet 2021 dhe 2022. Bëhet fjalë për prokurimin për të financuar Akademinë e re Diplomatike Evropiane — një program vjetor trajnimi për diplomatë, i financuar nga Shërbimi Diplomatik i BE-së dhe i zhvilluar në Brugge.
Hetuesit po shqyrtojnë nëse Kolegji i Evropës ose përfaqësuesit e tij kanë pasur qasje paraprake në informacione konfidenciale rreth tenderit. Rasti po ashtu fokusohet te blerja prej 3.2 milionë eurosh e një objekti në Brugge nga Kolegji në vitin 2022 — një hapësirë e planifikuar për akomodimin e pjesëmarrësve të Akademisë — pak para se EEAS të hapte një tender, i cili më pas iu dha Kolegjit me financim prej 654 mijë eurosh.