Delcy Rodriguez, ushtruese e detyrës së presidentes së Venezuelës, është një zëvendëse besnike e Nicolas Maduros. Ajo shpesh ishte shfaqur në manifestime krah për krah me presidentin venezuelan dhe gruan e tij Cilia Flores, raporton “BBC”.
Një juriste dhe diplomate, ajo ka mbajtur poste të ndryshme politike nën regjimin e Maduros.
Si zëvendëspresidente, Rodriguez 56-vjeçare, ishte pjesë e rrethit të ngushtë të Maduros. E ka përshkruar atë si “presidenti i vetëm” dhe ka kërkuar lirimin e tij.
Të shtunën, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se sekretari amerikan i shtetit Marco Rubio ka folur me Rodriguezin, e cila ka shprehur gatishmërinë e saj për të bërë “çfarëdo që SHBA-ja kërkon”.
Trump në një intervistë për “The Atlantic” kishte paralajmëruar Rodriguezin se do të “paguante çmim edhe më të madh se Maduro” nëse nuk “bën gjërat si duhet”.
Rodriguez publikisht kishte refuzuar që Venezuela të bëhej “një koloni e një perandorie” dhe kishte kërkuar lirimin e Maduros.
Por, në mbledhjen e saj të parë të kabinetit të mbajtur të dielën, ajo përdori një ton më pajtues, duke i bërë thirrje SHBA-së të bashkëpunojë me Venezuelën.
Rodriguez tha se vendi i saj është i përkushtuar ndaj paqes dhe i jep përparësi marrëdhënieve “të balancuara dhe respektuese” me SHBA-në.
Në një deklaratë, Rodriguez ka ftuar Qeverinë amerikane “të bashkëpunojë me ne në një agjendë bashkëpunimi” brenda kornizës së të drejtës ndërkombëtare.
“Presidenti Donald Trrump, popujt tanë dhe rajoni ynë meritojnë paqe dhe dialog, jo luftë”, tha ajo.
“Venezuela ka të drejtë për paqe, zhvillim, sovranitet dhe një të ardhme”.
Maduro dhe bashkëshortja e tij Cilia Flores do të paraqiten sot në gjykatë në New York. Ata u kapën nga forcat amerikane në një aksion të zhvilluar në Karakas të Venezuelës në orët e hershme të së shtunës. Të dy akuzohen për narkoterrorizëm.