Botë

Lajçak për bisedat me Epsteinin: Kam ndërgjegje të pastër

Jeffrey Epstein - Miroslav Lajcak

Ish-emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka pranuar se ka pasur komunikime me abuzuesin seksual të fëmijëve, Jeffrey Epstein, në të kaluarën. Megjithatë, ai ka thënë se ka ndërgjegje të pastër dhe nuk ka qenë në dijeni për veprat e Epsteinit.

Ditë më parë, ligjvënësit demokratë në SHBA publikuan rreth 20 mijë faqe dokumentesh nga komunikimet e Epsteinit. Ndër to dolën edhe disa që abuzuesi kishte me diplomatin sllovak.

E Lajçaku ka thënë se roli i diplomatit është që të vendosë kontakte me sa më shumë partnerë që munet. Në këtë aspekt, ai ka thënë se ka takuar mijëra njerëz të tillë gjatë karrierës dhe se gjatë punës si president i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara ka pasur takime edhe me njerëz me ndikim përfshirë Epsteinin, me të iclin kishin raporte shumë figura të rëndësishme politike në SHBA e më gjerë.

“Komunikimi ynë i mëvonshëm, të cilin e nisi ai, ishte i një natyre shoqërore dhe i kushtohej kryesisht komentimit të ngjarjeve aktuale në botë”, ka thënë Lajçak, duke shtuar se ende ruan komunikim të ngjashëm me shumë njerëz që i ka takuar gjatë karrierës. “Ndërgjegjja ime është e pastër; nuk kishte asgjë që devijonte nga korniza standarde”, ka theksuar ai për “TASR”.

“Rihapja e çështjes së Epsteinit ka ndodhur pasi jam larguar nga New Yorku dhe shkalla e plotë e veprimeve të tij të pafalshme, të cilat i dënoj fuqishëm, doli në dritë vetëm pas arrestimit të tij”, ka thënë tutje ai.

Sipas bisedave të publikuara më 2018 e 2019, Epsteini e përshkruan Lajçakun si person me ndikim ndërkombëtar. Në një e-mail të vitit 2019, Epstein ia kishte prezantuar një kontakti të paidentifikuar Lajçakun si ministrin aktual të Jashtëm të Sllovakisë, ish-president të Kombeve të Bashkuara dhe “mbi të gjitha si mik”. Ai po ashtu i referohej Lajçakut si “Miro”. Në një komunikim tjetër më 2018, Epstein kishte shkruar se “Miro po vjen në Palm Beach” – referencë për një nga rezidencat e Epsteinit në Florida “për të hartuar strategji”, sipas “360-tka.sk”. Ndërkaq “aktuality.sk” ka shkruar se dokumentet nuk përmbajnë asnjë dëshmi se Lajçaku ka pasur njohuri për aktivitetet kriminale të Epsteinit. Gjithsesi, Epsteini e shihte Lajçakun si aleat brenda qarqeve diplomatike ndërkombëtare.

Epstein ishte abuzues seksual i fëmijëve në SHBA. Më 2005 ndaj tij nisën hetimet pas akuzave nga një prind se si mësimdhënës kishte abuzuar seksualisht me një vajzë 14-vjeçare. Fillimisht u dënua më 2008 e më pas u lirua pas 13 muajsh. Më 2019 u arrestua sërish. Gjatë gjykimit, u gjet i vdekur në qeli më 10 gusht 2019.

Lajçaku, aktualisht këshilltar i kryeministrit sllovak, Robert Fico, për Ballkanin Perëndimor, ka qenë dy herë ministër i Punëve të Jashtme i këtij shteti, president i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së dhe Përfaqësues Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi (2020-2025).