Izraeli të hënën ka kthyer eshtrat e 15 palestinezëve në Gazë, në hapin e fundit të fazës së parë të armëpushimit të ndërmjetësuar nga SHBA-ja, teksa i dërguar i lartë i Shtëpisë së Bardhë, Jared
Kushner është takuar me udhëheqësit izraelitë për të diskutuar fazat e ardhshme të marrëveshjes së brishtë.
Izraeli ka kthyer trupat pasi militantët palestinezë liruan eshtrat e një pengu të dielën. Me shkëmbimin e fundit, vetëm katër trupa pengjesh mbetën në Gazë.
Ndërsa faza e parë e marrëveshjes po i afrohet fundit, dhëndri i presidentit të SHBA-së Donald Trump, Jared Kushner, u takua të hënën me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu dhe mikun e tij të ngushtë Ron Dermer në Jerusalem, sipas një fotoje të publikuar nga zyra e kryeministrit, raporton AP.
Marrëveshja e fundit e armëpushimit në janar 2025 kishte dështuar pas një periudhe shkëmbimi pengjesh, teksa Izraelin kishte nisur një valë sulmesh ajrore mbi Gazë.
Në atë kohë, ndërmjetësit nuk kishin arritur të vinin Hamasin dhe Izraelin në tryezë për të negociuar tërheqjen e trupave dhe qeverisjen e ardhshme të Rripit.
Ata përballen me një sfidë të ngjashme tani, pasi faza tjetër e marrëveshjes kërkon zbatimin e një organi qeverisës për Gazën dhe vendosjen e një force ndërkombëtare stabilizimi.
Ministria e Shëndetësisë e Gazës ka thënë se Kryqi i Kuq kishte dorëzuar trupat e palestinezëve të hënën, duke e çuar numrin total të kthyer në 315. Për çdo peng izraelit të kthyer, Izraeli ka liruar mbetjet e 15 palestinezëve.