Është një vallëzim, një meme virale dhe tashmë një trend mes sportistëve elitarë në mbarë botën.
Prej javësh, rrjetet sociale janë pushtuar me video të një djali të vogël indonezian me syze dielli, duke qëndruar në majë të një varke të gjatë garuese dhe duke bërë ndoshta vallëzimin më ‘cool’ në botë.
Ky vallëzim është kthyer në përfaqësimin përfundimtar të asaj që në internet quhet “aura farming” – një term që nënkupton ndërtimin e karizmës përmes vetëbesimit dhe stilit unik.
Lëvizjet plot vetëbesim dhe të lehta për t’u ndjekur po kopjohen kudo në botë. Emra të njohur të sportit si Travis Kelce (futboll amerikan), Alex Albon (Formula 1), Marc Marquez (MotoGP) dhe madje edhe skuadra e PSG-së kanë ndjekur trendin.
Pas gjithë kësaj është një djalë 11-vjeçar, Rayyan Arkan Dikha, i cili ka rrëfyer se vallëzimi ishte krejtësisht spontan.
“Vallëzimin e krijova vetë. Ishte diçka spontane”, ka thënë ai për BBC-në.
Nxënës i klasës së pestë nga një fshat në rajonin Kuantan Singingi të Indonezisë, ai po merrte pjesë për herë të parë në garën kombëtare të varkave Pacu Jalur – ku “Pacu” do të thotë garë, ndërsa “Jalur” i referohet varkave të gjata tradicionale.
Dikha mban rolin e Togak Luan – valltarit që qëndron në majën e varkës për të motivuar ekuipazhin gjatë garës.
Në videon që është bërë virale, ai shihet i veshur me veshjen tradicionale Teluk Belanga dhe një shami në kokë nga kultura malaje Riau. Ndërsa qëndron mbi pjesën e përparme të varkës që lëviz me shpejtësi e shtyrë nga të paktën 11 të rritur, ai dërgon puthje në të dyja anët dhe fillon të lëvizë duart me ritëm – pa asnjë shprehje në fytyrë.
Në një sekuencë, ai shtrin një dorë përpara në nivelin e gjoksit, ndërsa tjetra kalon poshtë, pastaj rrotullon grushtet si një rrotë duke u zhvendosur majtas-djathtas. Në një tjetër, ai krijon një pozë balancuese duke shtrirë krahët në drejtime të kundërta.
Videot me ‘tags’ si “aura farming kid on boat” apo “boat race kid aura” kanë mbledhur miliona shikime në TikTok që nga fundi i qershorit. Dhe tani, Rayyan është pagëzuar me nofkën “The Reaper” (I pamëshirshmi).
VIDEO:
#WATCH: #Indonesian boy dancing on the front of a boat becomes Internet sensation, setting a global trend of “aura farming” recreated by famous athletes and thousands of others worldwide https://t.co/xnyqVKxE7i pic.twitter.com/i49mRsx9gN
— Arab News (@arabnews) July 11, 2025