Botë

Kryeministri japonez s’dorëhiqet pavarësisht humbjes në zgjedhje

Shigeru Ishiba

Foto: Associated Press

Kryeministri japonez, Shigeru Ishiba, ka deklaruar të hënën se do të qëndrojë në pushtet për t’u përballur me sfidat sikurse rritja e çmimeve dhe tarifat e larta të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pasi humbja zgjedhore në fundjavë e la koalicionin e udhëhequr prej tij me pakicë në dy dhomat e parlamentit dhe nxiti thirrje për dorëheqje, ka transmetuar Associated Press.

Partia Liberal Demokratike (LDP) e Ishibas dhe partneri i saj i koalicionit, Komeito, nuk arritën ta ruajnë shumicën në dhomën e lartë me 248 ulëse në total, gjatë votimit së të dielës. Aktualisht, koalicionit i mungojnë numrat në të dyja dhomat e parlamentit, megjithëse LDP-ja mbetet partia kryesore.

Ishiba ka thënë se e pranon rezultatin zgjedhor, mirëpo në rrethanat e tanishme prioriteti për të është që të shmangë krijimin e ngërçit politik dhe të përballet me sfidat e tjera, përfshirë afatin e 1 gushtit për marrëveshje tregtare me SHBA-në.

“Ndërsa ndiej thellësisht përgjegjësi për rezultatin e zgjedhjeve, besoj se duhet gjithashtu të përmbush detyrimin që kam ndaj vendit dhe popullit, në mënyrë që të mos lejojë që politika të bllokohet apo të humbasë drejtimin”, është shprehur Ishiba. 

Negociatori i tij kryesor për tarifat, ministri i Ekonomisë Ryosei Akazawa, është nisur për në Washington për rundin e tetë të bisedimeve. 

Kryeministri japonez ka reflektuar optimizëm se mund të arrijë marrëveshje të volitshme tregtare për të dyja palët, si dhe të takohet me presidentin amerikan, Donald Trump, “sa më shpejt të jetë e mundur”. 

Rezultati i së dielës ka ndodhur pas humbjes së shumicës nga koalicioni i Ishibas në zgjedhjet për dhomën e ulët në tetorin e vitit të kaluar, pas goditjes nga skandalet e kaluara të korrupsionit, dhe që prej atëherë, qeveria e tij jopopullore është detyruar të bëjë lëshime ndaj opozitës për të kaluar ligjet në parlament. 

Qeveria aktuale nuk ka qenë në gjendje të ndërmarrë ose të zbatojë masa efektive për të zbutur rritjen e çmimeve, përfshirë edhe ushqimin tradicional të Japonisë, orizin, ndërkohë që pagat janë në rënie e sipër.