Botë

Kryeministri francez, François Bayrou përballet sot me votëbesim

François Bayrou

Foto: Associated Press

Kryeministri francez, François Bayrou, pritet të rrëzohet në një votëbesim të hënën pasdite, duke e zhytur ekonominë e dytë më të madhe të eurozonës në një krizë politike.

Partitë opozitare, nga e majta në të djathtën ekstreme e kanë bërë të qartë se do të votojnë kundër 74-vjeçarit të qendrës, që do të thotë se ai dhe qeveria e tij e pakicës do të bien pas vetëm nëntë muajsh në detyrë, raporton The Guardian.

Presidenti i qendrës, Emmanuel Macron, ka të ngjarë të përballet me sfidën e emërimit të kryeministrit të tij të tretë brenda një viti, dhe të pestin që kur filloi mandatin e tij të dytë në detyrë në vitin 2022.

Si kreu i shtetit me autoritet mbi politikën e jashtme dhe sigurinë kombëtare, presidenti emëron drejtpërdrejt një kryeministër për të drejtuar çështjet e brendshme. Por pasi Macroni thirri zgjedhje të parakohshme parlamentare vitin e kaluar, asambleja kombëtare është ndarë në tri blloqe - e majta,  qendra dhe e djathta ekstreme, pa shumicë absolute, duke krijuar një formë bllokimi politik dhe mosmarrëveshjeje mbi buxhetin. Kjo do të thotë se nuk ka siguri se një kryeministër i ri do të jetë i sigurt nga një rrëzim i ngjashëm i shpejtë.

Macroni gjithashtu mund të vendosë të thërrasë zgjedhje të reja të parakohshme parlamentare, megjithëse ai ka thënë se ngurron ta bëjë këtë.

Bayrou i tronditi edhe aleatët e tij të qendrës duke thirrur votën e besimit të papritur, duke thënë se kishte nevojë për mbështetje nga parlamenti për masat shtrënguese për të ulur borxhin publik.

Një aleat afatgjatë i Macronit, Bayrou po synon për të marrë mbështetje për planin e tij jopopullor për një buxhet të shtrënguar prej 44 miliardë eurosh dhe një programi shtrëngues për të ulur borxhin publik të Francës. 

Propozimet e tij për buxhetin, duke përfshirë heqjen e dy festave zyrtare dhe ngrirjen e shumicës së shpenzimeve për mirëqenie, u kundërshtuan në të gjithë spektrin politik.

Bayrou do të mbajë një fjalim në parlament të hënën pasdite duke kërkuar mbështetje dhe duke dhënë mendimin e tij mbi gjendjen e kombit dhe borxhit publik francez. 

Kjo do të pasohet nga fjalime nga udhëheqësit e çdo grupi parlamentar, para një votimi të ligjvënësve.

Bayrou: Franca është e varur nga borxhi

4 o. më parë / 8 sht 2025 16:23
François Bayrou

Photo: Associated Press

Kryeministri francez, François Bayrou, i ka thënë parlamentit francez të hënën se ky është një “moment i së vërtetës” në fjalimin e tij para ligjvënësve, pak para votëbesimit të cilin e ka kërkuar vetë ai. 

Gjatë fjalimit të tij 40-minutësh, ai është përpiqur t'i shtyjë politikanët të bien dakord për një mënyrë për të trajtuar krizën e borxhit që po i afrohet vendit.

Ai ka thënë se Franca është e varur nga borxhi. 

Mediat raportojnë se Bayrou nuk i ka votat për ta fituar votëbesimin pasi partitë e opozitës kanë thënë se do të votojnë kundër.

Nëse ai bie, presidenti francez Emmanuel Macron duhet të veprojë shpejt për të emëruar një kryeministër të ri - i pesti i tij në më pak se dy vjet.