Ministri i Punëve të Jashtme i Izraelit, Gideon Saar, ka thënë të mërkurën se vendi i tij e ka përnjëmend të arrijë marrëveshje me grupin militant palestinez, Hamas, për t’i dhënë fund luftës dhe për të kthyer pengjet e mbajtura në Rripin e Gazës, ka raportuar Reuters.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, kishte deklaruar të martën se Izraeli i ka pranuar kushtet e nevojshme për të konkretizuar armëpushimin 60-ditor me Hamasin, pas asaj që e kualifikoi si një takim “të gjatë dhe produktiv” mes përfaqësuesve amerikanë dhe atyre izraelitë.
Gjatë një konference për shtyp në kryeqytetin estonez, Tallinn, Saari ka theksuar se “jemi serioz për të arritur marrëveshjen e pengjeve dhe atë të armëpushimit. I kemi thënë po propozimit të të dërguarit të posaçëm amerikan, Steve Witkoff”.
“Ka disa shenja pozitive. S’dua të them më shumë se kjo tani për tani. Por qëllimi ynë është që t’i fillojmë bisedimet sa më shpejtë që është e mundur”, ka shtuar Saar, i cili ka folur pas takimit me homologun e tij estonez, Margus Tsahkna.
“Por duhet të jetë e qartë: Hamasi nuk është përgjegjës vetëm për fillimin e kësaj lufte më 7 tetor të vitit 2023. Ai është përgjegjës edhe për vazhdimin e saj. Duhet të ushtrohet presion mbi Hamasin. Komuniteti ndërkombëtar tani duhet të mbështesë iniciativat amerikane. Duhet të shkatërrojë çdo iluzion që mund të ketë Hamasi”, ka vazhduar ai.
Në grupin militant kanë njoftuar të mërkurën se janë duke e shqyrtuar ofertën e re të armëpushimit të dorëzuar nga ndërmjetësit e Egjiptit dhe Katarit, porse kanë nënvizuar se qëllimi është arritja e një marrëveshjeje që garanton përfundimin e luftës dhe tërheqjen e plotë të Izraelit nga Rripi i Gazës.