Botë

Kremlini thotë se Ukraina është përpjekur të sulmojë rezidencën e Putinit, reagon Zelensky

Vladimir Putin

Foto: Associated Press

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka thënë të hënën se Ukraina është përpjekur të sulmojë rezidencën e presidentit, Vladimir Putin në rajonin e Novgorodit dhe se për këtë arsye pozicioni negociues i Moskës do të rishikohej.

Lavrov ka thënë se më 28-29 dhjetor, Ukraina kishte sulmuar rezidencën shtetërore të presidentit rus në rajonin e Novgorodit me 91 dronë me rreze të gjatë veprimi, të cilët u shkatërruan të gjithë nga mbrojtja ajrore ruse, raporton Reuters.

"Veprime të tilla të pamatura nuk do të mbeten pa përgjigje", ka thënë Lavrov, duke shtuar se sulmi përbënte "terrorizëm shtetëror".

Ai ka shtuar se objektivat ishin zgjedhur tashmë për sulme hakmarrëse nga forcat e armatosura të Rusisë.

Lavrov ka vënë në dukje se sulmi ka ndodhur gjatë negociatave rreth një marrëveshjeje të mundshme paqeje në Ukrainë dhe se ndërsa Rusia nuk do të largohej nga negociatat, qëndrimi i Moskës do të rishikohet.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se akuza është një gënjeshtër, duke shtuar se Moska po përgatiste terrenin për të sulmuar ndërtesat qeveritare në Kiev.

Nuk është bërë e ditur nëse Putini ishte në rezidencë në atë kohë.