Botë

Kongresisti Jeffries thyen rekordin e “minutës magjike”, mban fjalim afro 9-orësh

Hakeem Jeffries

Foto: Associated Press

Përditësuar, 20:25 - Lideri i demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve, Hakeem Jeffries, ka thyer rekordin e “minutës magjike”, duke mbajtur një fjalim që ka zgjatur saktësisht 8 orë e 45 minuta. 

Ai e ka thyer rekordin e mëhershëm të caktuar nga kongresisti republikan Kevin McCarthy në vitin 2021.
Në momentet që çuan deri në minutën e 520-të, ai kishte shfaqur indikacione se fjalimit të tij po i vinte fundi. 

Përgjatë fjalimit, Jeffries ka kritikuar ligjin për shpenzimet dhe taksat, përmendi disa nga amandamentet e propozuara prej anëtarëve të partisë demokratike, ka folur për prindërit dhe fëmijërinë e tij, si dhe ka cituar vargje të Biblës.

Fjalimi i tij ka shtyrë votimin rreth projektligjit “të bukur e të madh” të presidentit amerikan, Donald Trump. 


Kongresisti demokrat po e shfrytëzon “minutën magjike”, fjalimi i tij ka kaluar 6-orëshin

Lideri i Demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve, Hakeem Jeffries, është duke folur pandërprerë për më shumë se 6 orë, duke shfrytëzuar opsionin e njohur si “minuta magjike”, ka shkruar BBC.

Zakonisht, përfaqësuesit në Dhomë i nënshtrohen një kufizimi të ashpër kohor lidhur me fjalimet e tyre, por “minuta magjike” është mjet që u lejon liderëve partiakë që të flasin për kohë të pakufizuar.

Ai në mënyrë të vazhdueshme u ka thënë kolegëve se planifikon të “marrë tërë kohën që i nevojitet” në foltore.

Rekordi për shfrytëzimin e zakonit të “minutës magjike” ka qenë 8 orë e 32 minuta, i vendosur nga ish-kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Kevin McCarthy, në vitin 2021.

E kryetari aktual i këtij trupi legjislativ nga radhët e Partisë Republikane, Mike Johnson, ka thënë se projektligji për taksat dhe shpenzimet i presidentit amerikan, Donald Trump, do të finalizohet sot gjatë ditës.

“Ka ardhur koha! Presidenti Trump është duke pritur me stilolapsin e tij”, ka shkruar Johnson në rrjetin social X.

“Sot, ne do ta dërgojmë projektligjin ‘e madh dhe të bukur’ në tavolinën e presidentit - dhe populli amerikan më në fund do të marrë lehtësimin që kërkon dhe meriton”, ka vazhduar ai.

Tek ka folur pak më herët para mediave, Johnson ka shtuar po ashtu se republikanët janë “të entuziazmuar për ta shtyrë përpara këtë projektligj”.

Trumpi ka kërkuar që ky projektligj të kthehet në ligj deri më 4 korrik, kur SHBA-ja feston përvjetorin e 249-të të pavarësisë.