Botë

Konfuzion në Stamboll: Askush nuk e di se kur do të fillojnë negociatat ose ku do të mbahen ato

Stamboll

Negociatat e shumëpritura për t’i dhënë fund luftës mes Ukrainës dhe Rusisë pritej të fillonin sot në Stamboll, por atmosfera në qytetin më të madh të Turqisë është karakterizuar nga konfuzioni dhe mungesa e transparencës që nga mëngjesi.

Sipas agjencisë Reuters, dhjetëra gazetarë nga mediat më të mëdha ndërkombëtare u mblodhën në Pallatin Dolmabahçe, ku pala ruse kishte njoftuar fillimin e bisedimeve. Sipas deklaratës së tyre, takimet duhej të nisnin në orën 07:00 me orën lokale, por delegacioni ukrainas e mohoi këtë orar, duke shkaktuar situatë të paqartë.

Deri tash, asnjë detaj nuk është bërë publik rreth negociatave, përfshirë përbërjen e plotë të delegacioneve apo agjendën zyrtare. E vetmja gjë e konfirmuar është se presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ndodhet në Turqi, por jo në Stamboll – ai ka qëndruar në Ankara për takime me presidentin turk Recep Tayyip Erdogan.

Zelensky ka deklaruar se do të udhëtojë drejt Stambollit vetëm nëse presidenti rus Vladimir Putin është fizikisht i pranishëm në tryezën e bisedimeve – gjë që nuk ka ndodhur. Putin, ndonëse ishte iniciatori i këtij raundi të ri diplomatik, ka vendosur të mos marrë pjesë personalisht dhe në vend të tij ka dërguar një delegacion të kryesuar nga këshilltari i tij i ngushtë, Vladimir Medinsky.

Pjesë e delegacionit rus janë gjithashtu zëvendësministri i Jashtëm Mihail Galuzin, shefi i Drejtorisë Kryesore të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Igor Kostjukov, dhe zëvendësministri i Mbrojtjes, Aleksandar Fomin.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i cili kishte paralajmëruar se mund të merrte pjesë në negociata, ka vendosur të mos udhëtojë drejt Stambollit për shkak të “agjendës së ngjeshur”. Në vend të tij, Shtetet e Bashkuara përfaqësohen nga të dërguarit specialë Keith Kellogg dhe Steve Witkoff, të cilët pritet të kenë rol mbështetës në procesin negociator.

Lexo përditësimet tjera
Donald Trump, Volodymyr Zelensky, Vladimir Putin

LIVE: Diskutimet e para direkte Rusi-Ukrainë pas tri vjetësh luftë