Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Kina kritikon Macronin për paralelen e ngritur mes Ukrainës dhe Tajvanit

Kina

Foto: Associated Press

Autoritetet kineze i kanë kritikuar përpjekjet e presidentit francez, Emmanuel Macron, për të lidhur mbrojtjen e Ukrainës me nevojën për të mbrojtur Tajvanin nga një pushtim i mundshëm kinez, raporton Reuters.

Si pjesë e një fjalimi më të gjerë mbi rreziqet e përçarjes midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara, Macroni ishte shprehur të premten para forumit të sigurisë “Shangri-La Dialogue” në Singapor, se nëse Rusisë i lejohet të aneksojë territore në Ukrainë pa asnjë pengesë, atëherë “çfarë mund të ndodhte në Tajvan?”. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ambasada e Kinës në Singapor ka bërë të ditur se krahasimi i çështjes së Tajvanit me çështjen e Ukrainës është “i papranueshëm”.

“Të dyja dallojnë për nga natyra dhe nuk janë aspak të krahasueshme”, thuhet në postim, teksa nënvizohet se Tajvani është krejtësisht çështje e brendshme e Kinës.

“Nëse dikush përpiqet të denoncojë një ‘standard të dyfishtë’ me një standard të dyfishtë, rezultati i vetëm që mund të marrim është përsëri një standard i dyfishtë”, thuhet më tutje.

Postimi i ambasadës kineze nuk iu referua drejtpërsëdrejti Macronit por u shoqërua me një foto të tij duke folur në ngjarjen e lartcekur.

Kina e sheh Tajvanin si territorin e saj dhe ka premtuar të “ribashkohet” me ishullin demokratik dhe autonom, madje nëpërmjet përdorimit të forcës nëse është e nevojshme. Ajo ka rritur presionin ushtarak dhe politik për të vërtetuar këto pretendime, përfshirë intensifikimin e stërvitjeve ushtarake rreth Tajvanit.