Ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi, i ka thënë homologut të tij gjerman Johann Wadephul se Japonia po e kërcënon Kinën ushtarakisht.
Këtë deklaratë ai e dha pasi Japonia ka njoftuar se aeroplanët luftarakë kinezë kanë drejtuar radarët e tyre drejt aeroplanëve ushtarakë japonezë, raportoi Reuters.
Japonia e ka denoncuar këtë veprim, duke e cilësuar akt të rrezikshëm, megjithëse Kina e ka fajësuar Japoninë për dërgimin e aeroplanëve që i janë afruar vazhdimisht marinës kineze derisa po kryheshin stërvitje.
Marrëdhëniet janë përkeqësuar muajin e kaluar, që kur kryeministrja japoneze Sanae Takaichi paralajmëroi se Japonia mund t'i përgjigjet çdo veprimi ushtarak kinez kundër Tajvanit, nëse ky veprim kërcënon edhe sigurinë e Japonisë.
Wang i ka thënë Wadephulit se Japonia duhet të veprojë me më shumë kujdes.
"Megjithatë, tani, udhëheqësi i saj aktual po përpiqet të shfrytëzojë çështjen e Tajvanit - territorin që Japonia e kolonizoi për gjysmë shekulli, duke kryer krime të panumërta kundër popullit kinez - për të provokuar probleme dhe për të kërcënuar Kinën ushtarakisht. Kjo është plotësisht e papranueshme", ka thënë Wang, sipas agjencisë zyrtare të lajmeve Xinhua të Kinës.
Ai ka shtuar se statusi i Tajvanit si territor kinez është pohuar në mënyrë të qartë dhe të pakthyeshme nga një sërë faktesh historike dhe ligjore.
Qeveria e Tajvanit, e cila hedh poshtë pretendimet territoriale të Pekinit, e ka akuzuar vazhdimisht Kinën për keqinterpretim të historisë, duke thënë se Republika Popullore e Kinës nuk ekzistonte në vitin 1945. Republika e Kinës mbetet emri zyrtar i Tajvanit.