Udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, ka reaguar të hënën ndaj pretendimeve të presidentit amerikan, Donald Trump, se sulmet ajrore të qershorit kishin shkatërruar kapacitetet bërthamore të Iranit, duke i thënë atij të “vazhdojë të ëndërrojë”.
Khamenei ka refuzuar gjithashtu ofertën e Trumpit për rifillimin e negociatave bërthamore, të cilat ishin ndërprerë pasi Izraeli kishte goditur Republikën Islamike më 13 qershor, ngjarje që kishte çuar në një konflikt 12-ditor gjatë të cilit SHBA-ja ndërmori sulme të paprecedenta ndaj Iranit.
“Presidenti amerikan me krenari thotë se kanë bombarduar dhe shkatërruar industrinë bërthamore të Iranit. Shumë mirë, vazhdo të ëndërrosh!”, është shprehur Khamenei në një deklaratë të publikuar në faqen e tij zyrtare.
Gjatë një fjalimi, Trumpi përsëriti pretendimin, i cili është vënë në pikëpyetje nga inteligjenca amerikane – se sulmet amerikane kishin shkatërruar objektet kyçe bërthamore të Iranit. Ai shtoi se do të ishte “e shkëlqyeshme” nëse SHBA-ja do të mund të arrinte një “marrëveshje paqeje” me Teheranin pas fillimit të armëpushimit në Gaza.
Në një intervistë për Fox News të dielën, Trumpi tha se pas këtyre sulmeve, “Irani nuk është më përbindëshi i Lindjes së Mesme”, duke pohuar se SHBA-ja kishte “shkatërruar aftësinë e tyre bërthamore”. Ai gjithashtu i quajti sulmet “operacioni më i bukur ushtarak”.