Këshilli i Sigurimit i OKB-së, ka caktuar për të enjten një mbledhje emergjente për të diskutuar protestat vdekjeprurëse në Iran, me kërkesë të Shteteve të Bashkuara, ndërkohë që presidenti, Donald Trump, e ka lënë të paqartë se çfarë veprimesh do të ndërmarrë kundër shtetit islamik.
Teherani zyrtar ka pasur të enjten deklarata më të buta në përpjekje për të ulur tensionet, pasi Trumpi kërcënoi se do të ndërmerrte veprime për të ndaluar vrasjet e mëtejshme të protestuesve, përfshirë ekzekutimin e kujtdo që është ndaluar gjatë goditjes së përgjakshme të Teheranit ndaj protestave mbarëkombëtare
Goditja e Iranit ndaj demonstratave ka vrarë të paktën 2.615 persona, ka raportuar Agjencia e Lajmeve për Aktivistët e të Drejtave të Njeriut me seli në SHBA.
Numri i viktimave tejkalon çdo valë tjetër protestash apo trazirash në Iran gjatë dekadave të fundit dhe sjell ndër mend kaosin e Revolucionit Islamik të vitit 1979.
Ndërkohë, Irani ka mbyllur hapësirën e tij ajrore për fluturimet komerciale për disa orë pa dhënë shpjegime herët të enjten, dhe disa pjesëtarë të personelit në një bazë kyç ushtarake amerikane në Katar u këshilluan të evakuoheshin.
Ambasada e SHBA-së në Kuvajt gjithashtu ka urdhëruar personelin e saj të “pezullojë përkohësisht” udhëtimet drejt bazave të shumta ushtarake në këtë vend të vogël arab të Gjirit.