Botë

Katz: Izraeli do të sigurohet që Irani të mos përbëjë më rrezik

Israel Katz

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, ka thënë të premten se Ushtria e shtetit hebraik e ka në plan që të parandalojë çdo kërcënim të ardhshëm të Iranit, disa kohë pasi të dyja vendet zhvilluan luftë 12-ditore kundër njëra-tjetrës, ka raportuar The Guardian.

“Ushtria izraelite do të përgatisë një plan përforcësues për t’u siguruar që Irani s’do të mundet më ta kërcënojë Izraelin ”, ka deklaruar Katz, tek ka shtuar se “ushtria duhet të përgatitet në nivelin e inteligjencës dhe atë operacional për të garantuar që Forcat Ajrore të ruajnë superioritetin ajror ndaj Teheranit”.

Izraeli kishte nisur luftën më datë 13 qershor, duke sulmuar impiantet bërthamore iraniane dhe duke vrarë komandantë të lartë ushtarakë, si dhe civilë, në goditjen më të keqe ndaj Republikës Islamike.

Në anën tjetër, Irani është hakmarrë me breshëri raketash në drejtim të qyteteve, infrastrukturës dhe zonave ushtarake izraelite.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishin përfshirë gjithashtu në luftë më 22 qershor, teksa kishin sulmuar bazat kryesore bërthamore të Iranit.

Mbi 900 persona kanë mbetur të vdekur në Iran përgjatë zhvillimit të luftës 12-ditore me Izraelin, bazuar në të dhënat e fundit mjekoligjore. E në Izrael, bilanci zyrtar i të vrarëve si pasojë e kundërsulmeve iraniane është 28.