Të paktën katër persona janë arrestuar në Korenë e Jugut nën dyshimin se kanë hakuar mbi 120 mijë kamera sigurie në shtëpi dhe biznese, duke përdorur pamjet e marra për të krijuar materiale seksuale shfrytëzuese, të cilat më pas janë publikuar në faqe të huaj interneti.
Policia ka njoftuar për arrestimet të dielën, duke thënë se të akuzuarit shfrytëzuan dobësitë e kamerave (IP) të njohura si kamera shtëpiake, përfshirë përdorimin e fjalëkalimeve të thjeshta.
Këto kamera lidhen me rrjet interneti në shtëpi dhe shpesh instalohen për siguri, raportoi BBC-ja të hënën.
Vendndodhjet e kamerave të hakuara thuhet se përfshinin shtëpi private, dhoma karaoke, një studio Pilates dhe një klinikë gjinekologjike.
Një deklaratë e lëshuar nga Agjencia Kombëtare e Policisë së Koresë së Jugut ka njoftuar se katër të dyshuarit vepronin në mënyrë të pavarur nga njëri-tjetri dhe nuk bashkëpunuar mes vete.
Njëri nga të dyshuarit akuzohet për hakimin e 63 mijë kamerave dhe prodhimin e 545 videove me përmbajtje shfrytëzuese seksuale, të cilat më pas i shiti për 12,235 dollarë në asete virtuale.
Një tjetër dyshohet se ka hakuar 70 mijë kamera dhe ka shitur 648 video.
Dy të dyshuarit ishin përgjegjës për afërsisht 62% të videove të postuara vitin e kaluar në një faqe interneti që shpërndante ilegalisht pamje të hakerimit të kamerave IP.
Policia tani po ndërmerr hapa për të bllokuar dhe mbyllur atë faqe interneti, dhe po bashkëpunon me agjencitë e huaja për të hetuar operatorin e saj. Ata gjithashtu kanë arrestuar tre persona të dyshuar se kanë blerë dhe parë materiale përmes faqes.
"Hakimi i kamerave IP dhe filmimi i paligjshëm shkaktojnë vuajtje të mëdha te viktimat dhe për këtë arsye janë vepra të rënda penale. Ne do t'i zhdukim ato përmes hetimeve të rrepta", ka thënë Park Woo-hyun, shef i hetimeve kibernetike në Agjencinë Kombëtare të Policisë.
Autoritetet kanë vizituar ose njoftuar personalisht viktimat në 58 vende, duke i informuar ata për incidentin dhe duke u dhënë udhëzime për ndryshimin e fjalëkalimeve.
Ata gjithashtu po i ndihmojnë viktimat të fshijnë dhe bllokojnë përmbajtjen, dhe po punojnë për të identifikuar të tjerët që mund të jenë prekur.