Botë

Karol Nawrocki betohet si president i Polonisë

Karol Nawrocki

Foto: Associated Press

Karol Nawrocki, një historian konservator dhe mbështetës i lëvizjes MAGA të Donald Trumpit, është betuar si president i Polonisë të mërkurën, duke përgatitur terrenin për konflikt me qeverinë qendrore dhe marrëdhënie potencialisht më të ftohta me Ukrainën.

Nawrocki ka bërë betimin presidencial në një ceremoni në parlamentin polak, raporton Reuters.

Fitorja zgjedhore e Nawrockit, i cili u mbështet nga partia nacionaliste e opozitës "Ligj dhe Drejtësi" (PiS), i ka dhënë një goditje shpresave të kryeministrit, Donald Tusk, për të forcuar kursin pro-Bashkimit Evropian që ai ka vendosur për anëtarin më të madh lindor të bllokut, dhe e ka lënë qeverinë e tij të lëkundur në sondazhe.

Polonia tani po përgatitet për një vazhdim të bllokimit që ka ndodhur nën presidentin nacionalist në largim Andrzej Duda, pasi Nawrocki do të jetë në gjendje të përdorë fuqitë e tij të vetos për të penguar një agjendë qeveritare që përfshin anulimin e reformave gjyqësore të zbatuara nga PiS, për të cilat kritikët thonë se dëmtuan pavarësinë e gjykatave.

Nawrocki duket gjithashtu se do të shkaktojë kokëçarje të tjera për qeverinë duke propozuar masa të tilla si uljet e taksave, të cilat ka të ngjarë të jenë të njohura për shumë votues, por të vështira për t'u zbatuar për një administratë me një buxhet të ngjeshur.

"Si kryeministër, deri më tani kam punuar me tre presidentë", ka shkruar Tusk, i cili ishte gjithashtu kryeministër nga viti 2007 deri në vitin 2014, në një postim në X. 

"Si do të jetë me të katërtin? Do t'ia dalim”, ka thënë ai.

Presidenti i ardhshëm ka thënë se aktualisht nuk sheh një vend për Ukrainën në NATO ose në BE, një ndryshim i dukshëm në ton krahasuar me Dudën.

Si president, Nawrocki do të duhej të nënshkruante ratifikimin e Polonisë për anëtarësimin e një anëtari të ri në NATO.

Teksa Tusk ka thënë se Bashkimi Evropian duhet të luajë një rol më të madh në çështjet e mbrojtjes së bashku me NATO-n, PiS dhe Naërocki kanë argumentuar se kjo do të minonte aleancën e Polonisë me Shtetet e Bashkuara.

"Shtetet e Bashkuara janë padyshim partneri ynë prioritar", ka thënë zëdhënësi i Naërockit, Rafal Leskiewicz.