Botë

Kapja e madhe e drogës që zbuloi betejat përgjatë “autostradës së kokainës”

Kapja e madhe e drogës

Një operacion dramatik antidrogë në ujërat e Irlandës zbuloi një nga përpjekjet më të mëdha për trafikimin e kokainës drejt Evropës – mbi 2.2 tonë të ngarkuara në anijen MV Matthew, të drejtuar nga një rrjet ndërkombëtar me lidhje në Dubai. Pavarësisht mjeteve të kufizuara dhe vetëm një anije të disponueshme në det, forcat irlandeze ndërhynë me sukses, duke përdorur një njësi elitare ushtarake dhe duke sekuestruar drogën. Rasti nxori në pah jo vetëm guximin e autoriteteve, por edhe dobësitë kritike të Irlandës në mbrojtjen detare dhe ajrore – një sfidë që po shfrytëzohet gjithnjë e më shumë nga kartelet ndërkombëtare të drogës

Mesazhi u dha nga Dubai me një simbol të Babadimrit. “Në rregull miq. Nuk ka nevojë për fat. Përnjëmend, kjo nuk mund të jetë më e thjeshtë se kaq. Vetëm qetësohuni dhe e tërë kjo do të përfundojë shumë shpejt”.

U dërgua te një peshkatar nga Ukraina dhe një burrë i papunë nga Teesside, të cilët po lundronin në mes të Detit Irlandez për të marrë kokainë nga një anije mallrash që po kalonte andej pari, MV Matthew.

Mirëpo, nuk doli të ishte punë aq e thjeshtë. Atyre u duhej më shumë fat.

Të dy burrat ishin pjesë e një tentative të guximshme për të trafikuar më shumë se 2.2 tonë kokainë drejt Mbretërisë së Bashkuar dhe Evropës. Plani dështoi, duke përfunduar me një operacion të suksesshëm të autoriteteve irlandeze kundër karteleve të fuqishme të drogës.

Tetë burra u dënuan dhe u burgosën me një total prej 129 vjetësh. E gjithë kokaina u asgjësua.

Megjithatë, pavarësisht këtij suksesi, agjencitë ligjzbatuese në të gjithë Evropën e kanë pranuar se po hasin në vështirësi për të ndaluar sasinë gjithnjë e në rritje të kokainës që kalon Oqeanin Atlantik nga Amerika e Jugut.

Qendra për Analizën dhe Operacionet Detare (MAOC), e cila mbikëqyr tregtinë transatlantike të drogës, thotë se 100 anije të dyshuara për trafikim droge drejt Evropës nuk u ndalën vitin e kaluar, për shkak se autoritetet nuk kishin mjaftueshëm mjete për t’i kapur.

“Ne kemi informacionin për një anije që po kalon Atlantikun... që është ngarkuar në atë moment, dhe prapë nuk kemi mjetet e duhura për ta ndaluar”, thotë drejtori i MAOC-it, Sjoerd Top, në një intervistë për emisionin Panorama të BBC-së.

MAOC monitoron deri në 600 anije çdo ditë, ndërkohë që sipas Top, sasia e kokainës e prodhuar në Amerikën e Jugut është në nivele rekord.

Sipas Agjencisë Kombëtare kundër Krimeve në Mbretërinë e Bashkuar (NCA), përdoruesit britanikë konsumuan 117 ton kokainë vitin e kaluar. Numri i vdekjeve të lidhura me kokainën është rritur dhjetëfish që nga viti 2011.

Zakonisht, droga transportohet me anije të mëdha kontejnerësh drejt porteve evropiane si Roterdami dhe Antwerpi. Por, për shkak të përforcimit të sigurisë në këto porte, trafikantët po kërkojnë rrugë të reja alternative.

Shumë prej tyre tani përdorin metoda të dorëzimit në det, ku blloqet me kokainë shkarkohen nga një anije “mëmë” dhe mblidhen nga një mjet më i vogël – që i referohen si “bijë” - që më pas e sjell drogën në breg.

“Vetëm në gjashtë muajt e fundit kemi kapur tonelata kokainë përmes kësaj metode në det, me sekuestrime të shumta prej një, dy tonësh”, tregon Charlie Eastaugh, drejtori detar i Forcës Kufitare të Mbretërisë së Bashkuar.

Por kartelet janë të pamëshirshme dhe kohët e fundit kanë filluar të shënjestrojnë gjithnjë e më shumë Irlandën - i vetmi shtet evropian me një kufi të hapur me Mbretërinë e Bashkuar - si një derë e pasme për ta futur drogën.

“Autostrada” e narkotikëve

Irlanda ka mbi 3200 kilometra bregdet, shumë prej të cilave janë ideale për kontrabandë, me shumë gjire të izoluara. Dhe ky bregdet është i pasigurt. Forcat e mbrojtjes të vendit ndihmojnë në luftën kundër kartelave. Irlanda ka shpenzimet më të ulëta për mbrojtjen në BE, vetëm 0.2% të PBB-së. Shërbimi Detar i Irlandës ka tetë anije, por zakonisht mund të dërgojë vetëm dy në det për shkak të mungesës së ekuipazhit.

“Kemi 132.000 milje katror ujë nën juridiksionin tonë. Një përgjegjësi për BE-në për 16% të ujërave evropiane … dy anije. Nuk ka kuptim”,  thotë ish-komandanti i marinës Eugene Ryan.

Po ashtu është edhe me mbështetjen ajrore. Forcat e Mbrojtjes të Irlandës duhet të ofrojnë helikopterët për të ndihmuar në mbrojtjen e bregdetit. Por Panorama ka mësuar se herë pas here nuk ka asnjë që mund të kryejë detyrën.

“Autostrada e narkotikëve kalon drejt Atlantikut dhe një nga shtetet e para që arrin është Irlanda. Ujërat tona territoriale janë një ‘treg i hapur’”, thotë Cathal Berry, ish-komandant i Ushtrisë së Irlandës.

Qeveria irlandeze thotë se mban një “prani dhe vigjilencë të vazhdueshme” brenda territorit të saj detar. Ajo thotë se financimi për mbrojtjen do të rritet me 600 milionë  -një rritje prej 55% gjatë katër vjetëve.

Ndërsa kapja rekord e kokainës në anijen MV Matthew ishte një sukses për shtetin irlandez, ajo gjithashtu tregoi dobësitë e mundshme në mbrojtjen e vendit.

Një grup kartelesh, që besohet nga forcat e rendit se drejtohet nga grupi famëkeq i krimit të organizuar Kinahan, bleu anijen e mallrave për rreth 10 milionë funte në gusht 2023.

Në mesin e shtatorit, tre burra u dërguan për të blerë një anije peshkimi të quajtur Castlemore në portin e peshkimit në Castletownbere, në jugperëndim të Irlandës.

Ata ishin: ukrainasi Vitaliy Lapa, Jamie Harbron nga Stockton-on-Tees dhe një burrë skocez që kishte ardhur nga Dubai - të cilin policia e quajti “Personi i interesit numër një”. Panorama e ka identifikuar këtë person si Stefan Boyd nga Glasgow - megjithatë, nuk dihet nëse ai ka luajtur një rol më të gjerë. Boyd udhëtoi përsëri drejt Dubait, ku besohet se ndodhet ende. Panorama nuk ka mundur ta kontaktojë për koment.

Lapa dhe Harbron - të cilët më vonë u dënuan,  e nxorën në det anijen Castlemore të premten, më 22 shtator, pa e ditur se policia i kishte vendosur një pajisje gjurmimi mjetit.

Policia më vonë siguroi mesazhe që tregonin se ekuipazhi po merrte udhëzime nga Dubai.

Autoritetet irlandeze gjurmuan MV Matthew dhe Castlemore për dy ditët në vijim, ndërsa të dyja anijet u përpoqën, por dështuan, të takoheshin në Detin Irlandez për shkak të stuhive. Anija Castlemore pati probleme me motorin dhe humbi fuqinë në mënyrë të vazhdueshme.

Teksa moti përkeqësohej, kapiteni iranian i MV Matthew, Soheil Jelveh, donte të lëvizte drejt veriut, por shefat e tij në Dubai e paralajmëruan të shmangte ujërat britanike. “Roja bregdetare irlandeze ka vetëm radio VHF, ndërsa rojet bregdetare britanike kanë edhe anije”, i shkruan ata.

Në atë kohë, marina irlandeze kishte vetëm një anije në det, WB Yeats. Në fakt, ajo ishte tashmë duke i gjurmuar kontrabandistët dhe priste urdhrin për të ndërhyrë.

Castlemore u përplas në një grumbull rëre gjatë stuhisë dhe kontrabandistët në bord u detyruan të thërrisnin rojën bregdetare irlandeze për ndihmë. Ata u shpëtuan me helikopter.

Tentativa për arratisje

Në MV Matthew, nisi paniku. Më pak se 24 orë më vonë, kapiteni Jelveh pretendoi rrejshëm se ishte plagosur dhe kishte nevojë për trajtim urgjent. Edhe ai u shpëtua me helikopter nga roja bregdetare, e cila nuk ishte në dijeni të operacionit ushtarak.

Në spital, u zbulua se Jelveh kishte mbi 50.000 dollarë në çantën e tij. Ai u arrestua pasi u hodh nga krevati dhe u përpoq të arratisej nga dera e spitalit.

Ndërkohë, një filipinas, Harold Estoesta, mori rolin e kapitenit dhe u përpoq t’i shmangej marinës.

Mesazhet me zë dhe tekst tregojnë ngjarjet e orëve pasuese.

Një “boss” nga Dubai, që e quante veten kapiteni Noah, i tha ekuipazhit ta ruante qetësinë. “Niveli im i stresit është afër një ataku në zemër. Përpiquni të jeni të qetë, të qetë. Shkoni me shpejtësi të plotë”, thuhet në një mesazh zanor.

Por marina i urdhëroi MV Matthew të drejtohej drejt portit të Cork duke hapur zjarr paralajmërues. Për herë të parë që nga vitet 1980.

Një komunikim i regjistruar tregon situatën dramatike, ku kapiteni i ri i thotë marinës: “Ne kemi frikë. Do të largohemi sepse na qëlluat. Ju lutem mos na qëlloni. Ekuipazhi im tani është në panik, po qajnë”. Komandanti i marinës i përgjigjet: “Nuk keni pse të keni frikë. Gjithçka që kërkoj është të vazhdoni drejt Portit të Corkut”.

Autoritetet irlandeze vendosën të hipnin në bord duke përdorur njësinë elitare Rangers Wing të Ushtrisë Irlandeze, por nuk kishte helikopterë të përshtatshëm në dispozicion.

Pesë helikopterë ishin në hangar, në pritje të pjesëve rezervë dhe mirëmbajtjes. I vetmi helikopter funksional po përdorej si ambulancë ajrore.

“Ata duhej të hiqnin të gjitha pajisjet mjekësore dhe ta shndërronin atë për detyrë ushtarake”, thotë Cathal Berry, ish-zv.komandant i Rangers Wing. Dy mitraloza u instaluan shpejt.

Shefat në Dubai ende nuk besonin se ushtria irlandeze mund t’i ndalonte.

Kapiten Noah u dërgonte ende mesazhe inkurajuese ekuipazhit: “Djem, ju lutem më dëgjoni. Deri tani nuk ka helikopter për ju, as komando, asgjë. OK, kini besim”.

Mesazhet e fundit të dërguara kapitenit Noah nga MV Matthew ishin foto të një helikopteri që fluturonte mbi anije. Pak sekonda më vonë, komando irlandezë zbarkuan në kuvertë dhe arrestuan ekuipazhin.

Kundër të gjitha gjasave, dhe përkundër mungesës së anijeve e helikopterëve, ky operacion antidrogë ishte një fitore për shtetin irlandez.

Që atëherë, janë zbuluar edhe katër përpjekje të tjera për të trafikuar sasi të mëdha kokaine drejt Mbretërisë së Bashkuar nga policia irlandeze. Por kontrabandistët janë të pamëshirshëm dhe kanë burime të mëdha.

“Po të isha në biznesin e narkotikëve tani, do t’i fërkoja duart nga gëzimi”, thotë Eugene Ryan, ish-komandanti i operacioneve detare të marinës irlandeze. “Nëse dërgojnë 20 ton kokainë me disa anije dhe disa kapen, sërish do t’u hyjnë 12-15 ton”.

Trafikimi i drogës është një problem në rritje në mbarë Evropën dhe ata që janë në vijën e parë të fronit thonë se çdo vend duhet të bëjë më shumë për ta ndalur atë.