Botë

Kandidati për president i Kolumbisë qëllohet në kokë

Miguel Uribe Turbay,

Kandidati për president të Kolumbisë është qëlluar gjatë një aktiviteti të fushatës në Bogota.

Sipas mediave ai është qëlluar tri herë – dy herë në kokë.

Miguel Uribe Turbay, 39 vjeç, u sulmua ndërsa po i drejtohej një turme të vogël njerëzish në një park të shtunën. Policia arrestoi një të dyshuar 15-vjeçar në vendngjarje, thonë mediat lokale.

Gruaja e Uribes, Maria Claudia Tarazona, i bëri thirrje kombit të lutet për mbijetesën e tij. “Miguel aktualisht po lufton për jetën e tij. Le t'i lutemi Zotit”, ka thënë ajo.

Partia “Centro Democratico” e Uribes e ka dënuar sulmin duke thënë se e cenon demokracinë dhe lirinë në Kolumbi, shkruan BBC.

Pamjet tregojnë momentin kur ai u qëllua në kokë në mes të fjalimit.

VIDEO (KUJDES PAMJE TË RËNDA):

 

 

 

 

Mjekët kanë thënë se ai u qëllua dy herë në kokë dhe një herë në këmbë. Ai është dërguar në klinikën Santa Fe derisa mbështetësit e tij janë mbledhur afër spitalit.

Uribe e ka shpallur kandidaturën e tij për president në tetor të vitit të kaluar.

Ai është nga një familje e njohur në Kolumbi e cila është marrë me politikë.

Nëna e Miguel, Diana Consuelo Turbay Quintero, është vrarë kur ajo ishte 41 vjeç. Ajo ishte një gazetare e vrarë nga karteli i drogës Medellin në Kolumbi dhe vdiq pasi një përpjekje për ta shpëtuar shkoi keq.

Historia ishte subjekt i librit jo-fiktiv të vitit 1996 të romancierit të shquar kolumbian Gabriel Garcia Marquez, "News of Kidnapping". Ajo u portretizua gjithashtu në serialin “Narcos” të Netflix në vitin 2015.

Ndërkaq, gjyshi i tij, Julio César Turbay Ayala ishte një avokat dhe politikan kolumbian i cili ka shërbyer si presidenti i 25-të i Kolumbisë nga viti 1978 deri në vitin 1982.