Kanadaja do t’i heqë një pjesë të tarifave hakmarrëse ndaj mallrave të importuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe do të nisë kontaktet për marrëveshje tregtare, ka njoftuar kryeministri kanadez Mark Carney të premten.
Në një konferencë për media ai ka bërë të ditur se tarifat ndaj makinave, çelikut e aluminit do të mbesin.
Kanadaja, pos Kinës, është i vetmi shtet që iu kundërpërgjigj SHBA-së me tarifa hakmarrëse.
Vendimin e Kanadasë e ka mirëpritur Shtëpia e Bardhë, që megjithatë e ka cilësuar si të vonuar reagimin.
E Carney ka thënë se pas bisedimeve me presidentin amerikan, Donald Trump, janë dakorduar që do të nisin bisedimet për marrëveshje.
Carney u bë kryeministër me zotimin se do të luftojë me tarifat e Trumpit. Por në fund të qershorit ai hoqi dorë nga një taksë e propozuar për shërbimet digjitale dhe më vonë ndali disa sanksione.