Botë

Kanadaja nuk synon tregti të lirë me Kinën, thotë kryeministri i saj

Mark Carney dhe Donald Trump

Mark Carney dhe Donald Trump

Foto: Associated Press

Kryeministri kanadez, Mark Carney, ka thënë të dielën se vendi i tij nuk ka asnjë qëllim të ndjekë një marrëveshje tregtie të lirë me Kinën. 

Deklarata e tij vjen si reagim ndaj kërcënimit të presidentit amerikan, Donald Trump, për të vendosur tarifa 100% mbi mallrat e importuara nga Kanadaja, nëse fqinji verior i SHBA-së do të vazhdonte me një marrëveshje tregtare me Pekinin, raporton AP.

Carney ka thënë se marrëveshja e tij e fundit me Kinën thjesht ul tarifat në disa sektorë të kufizuar që ishin goditur së fundmi nga tarifa të larta.

Mirëpo Trumpi pretendon të kundërtën.

“Kina po e merr me sukses dhe plotësisht nën kontroll vendin dikur të madh të Kanadasë. Është për të ardhur keq ta shohësh këtë”, ka shkruar Trumpi këto ditë në Truth Social.

E kryeministri Carney e ka mohuar këtë qëllim.

“Ajo që kemi bërë me Kinën është të rregullojmë disa çështje që u zhvilluan gjatë dy vjetëve të fundit”, ka deklaruar Carney.

Në vitin 2024, Kanadaja ka ndjekur shembullin e Shteteve të Bashkuara duke vendosur një tarifë 100% mbi automjetet elektrike nga Pekini dhe një tarifë 25% mbi çelikun dhe aluminin. Kina është kundërpërgjigjur duke vendosur taksa importi 100% mbi vajin dhe miellin e kanolës kanadeze dhe 25% mbi mishin e derrit dhe prodhimet e detit.

Mirëpo, në një shkëputje nga qëndrimi i SHBA-së këtë muaj gjatë një vizite në Kinë, Carney ka ulur tarifën 100% mbi vetura elektrike kineze, në këmbim të tarifave më të ulëta për këto produkte kanadeze.

Carney ka thënë se do të ketë një kufi fillestar vjetor prej 49,000 automjetesh elektrike kineze që do të hyjnë në Kanada me një normë tarife prej 6.1%, duke u rritur në rreth 70,000 brenda pesë vjetësh. Ai ka vërë në dukje se para vitit 2024 nuk kishte asnjë kufizim.