Shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Kaja Kallas, ka shpehur shqetësim të hënën se bisedimet SHBA-Rusi mund të përfundojnë ashtu që Ukraina të detyrohet të bëjë edhe më shumë lëshime, si p.sh. të ushtrohet presion për të dorëzuar territorin e saj.
“Kam frikë se e dini që i gjithë presioni do të ushtrohet mbi anën më të dobët, sepse kjo është mënyra më e lehtë për të ndaluar këtë luftë, kur Ukraina dorëzohet, por kjo nuk është në interesin e askujt”, u ka thënë Kallas gazetarëve në Bruksel, pasi kryesoi një takim të ministrave të Jashtëm dhe të Mbrojtjes të BE-së.
“Është karta e Kombeve të Bashkuara që thotë se nuk mund të ndryshosh kufijtë me forcë. Nëse kjo ndodh, do ta shohim edhe diku tjetër në botë”, ka paralajmëruar ajo.
“Kushdo që ka pushtetin mund të marrë atë që dëshiron, gjë që nuk është e mirë për shumicën e vendeve në botë”, është shprehur Kallas më tej.
Ajo ka thënë se financimi i vazhdueshëm për Ukrainën është thelbësor dhe se ministrat të hënën janë pajtuar se opsionet e financimit duhej të merreshin parasysh “si një çështje urgjente”.
“Financimi shumëvjeçar do të ishte një ndryshim i madh për mbrojtjen e Ukrainës, një Ukrainë më e fortë do të thotë një fund më i shpejtë i luftës së Putinit”, u ka thënë ajo gazetarëve.
Komentet e saj vijnë ndërsa presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky zhvilloi bisedime me presidentin francez, Emmanuel Macron të hënën, pjesë e një fluksi aktivitetesh diplomatike që synojnë ndërmjetësimin e kushteve për një armëpushim të mundshëm në luftën gati katërvjeçare në Ukrainë.
Vizita e Zelenskyt në Paris pasoi një takim midis zyrtarëve ukrainas dhe amerikanë në Florida të dielën, të cilin sekretari i Shtetit Marco Rubio, e përshkroi si produktiv.
Të dy palët kanë punuar për të bërë rishikime në një plan të propozuar nga SHBA-ja, i cili u zhvillua në negociatat midis Uashingtonit dhe Moskës, por u kritikua si shumë i orientuar drejt kërkesave ruse.