Botë

Kallas: Evropa e zgjuar nuk përballet me zhdukje qytetërimi

Kaja Kallas

Foto: Associated Press

Shefja për Politikë të Jashtme e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka hedhur poshtë të dielën pretendimin se Evropa përballet me “zhdukje qytetërimi”, duke kundërshtuar kështu kritikat ndaj kontinentit nga administrata Trump.

Kallas ka bërë deklaratën në Konferencën e Sigurisë në Munih, një ditë pasi sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, dha një mesazh qetësues për aleatët evropianë.

Rubio pati një ton më pak agresiv sesa ai i nënpresidentit JD Vance, i cili i kishte kritikuar ata në të njëjtin takim vitin e kaluar. Megjithatë kryediplomati amerikan, përsëriti synimin e vendosur të Uashingtonit për të riformësuar aleancën transatlantike dhe për të shtyrë përparësitë e tij politike.

Kallas gjatë fjalimit të saj po u referohej kritikave në strategjinë e sigurisë kombëtare të SHBA-së, të publikuar në dhjetor.

Në dokument sugjerohej se Evropa po dobësohet nga politikat e saj të emigracionit, rënia e normave të lindshmërisë, “censura e lirisë së shprehjes dhe shtypja e opozitës politike”, si dhe nga “humbja e identiteteve kombëtare dhe e vetëbesimit”.

“Në kundërshtim me atë që mund të thonë disa, Evropa e zgjuar dhe dekadente nuk po përballet me zhdukje qytetërimi”, ka thënë Kallas në konferencë.

“Në fakt, njerëzit ende duan t’i bashkohen klubit tonë dhe jo vetëm evropianët e tjerë”, ka shtuar ajo, duke thënë se gjatë një vizite në Kanada vitin e kaluar i ishte thënë se shumë njerëz atje kanë interes për t’iu bashkuar BE-së.

Në fjalimin e tij në konferencë, Rubio ka thënë se fundi i epokës transatlantike “nuk është as qëllimi ynë dhe as dëshira jonë”, duke shtuar se “shtëpia jonë mund të jetë në hemisferën perëndimore, por ne gjithmonë do të jemi fëmijë të Evropës”.

Ai e bëri të qartë se administrata Trump do të qëndrojë e palëkundur në çështje si migracioni, tregtia dhe klima.

Ndërkohë, zyrtarët evropianë që folën në këtë takim theksuan se edhe ata do të qëndrojnë besnikë ndaj vlerave të tyre, përfshirë qasjen ndaj lirisë së shprehjes, ndryshimeve klimatike dhe tregtisë së lirë.