Botë

Kablloja që u këput dhe shkaktoi përplasjen e tramvajit në Lisbonë s’ishte e certifikuar

Lisbone

Foto: Associated Press

Kablloja që ishte këputur dhe kishte shkaktuar rrëzimin e një vagoni tramvaji në Lisbonë nga një kodër, në shtator, duke lënë të vdekur 16 persona, nuk ishte e çertifikuar për përdorim në transportin e pasagjerëve, sipas një hetimi që gjithashtu ka vërë në dukje mangësi në mirëmbajtje.

Zyra e Portugalisë për Hetimet e Aksidenteve Ajrore dhe Hekurudhore (GPIAAF) ka thënë në raportin e së hënës vonë se ishte ende e pamundur të thuhej nëse përdorimi i një kablloje të papërshtatshme kishte shkaktuar aksidentin, pasi faktorë të tjerë ishin gjithashtu në lojë.

Raporti përfundimtar i GPIAAF-së duhet të dorëzohet deri në shtatorin e ardhshëm.

Tramvaji i verdhë, i cili transporton njerëz lart e poshtë një kodre të pjerrët në kryeqytetin portugez, goditi një ndërtesë pasi doli nga shinat më 3 shtator.

Tramvaji i quajtur “Gloria” kishte nisur funksionimin në vitin 1885, është një nga tre tramvajët e vjetër të operuar nga kompania e transportit publik komunal Carris, e cila pezulloi përdorimin e tyre pas incidentit. Linja transportonte rreth 3 milionë turistë dhe vendas në vit.

GPIAAF ka thënë se procedurat e mirëmbajtjes, të hartuara nga Carris, nuk janë përditësuar për shumë vite dhe se "përdorimi i kabllove që nuk përputheshin me specifikimet dhe kufizimet e përdorimit ishte për shkak të disa dështimeve të akumuluara në procesin e marrjes, pranimit dhe përdorimit të tyre nga Carris".

Mekanizmat e kontrollit të brendshëm të Carris "nuk ishin të mjaftueshëm ose të përshtatshëm për të parandaluar dhe zbuluar dështime të tilla".

Carris ka dhënë me qira mirëmbajtjen e ashensorit që nga viti 2007 dhe GPIAAF gjithashtu identifikoi mangësi në këtë fushë.

"Ka prova që detyrat e mirëmbajtjes të regjistruara si të përfunduara nuk korrespondojnë gjithmonë me detyrat e kryera në të vërtetë", ka thënë GPIAAF.