Botë

Jetët e reja që po shuhen shpejt

Gratë në Gaza

Në mesin e luftës së përgjakshme në Gazë, jeta e re po lind në kushte ekstreme. Gratë shtatzëna dhe foshnjat janë ndër më të prekurat nga mungesa e ushqimit, kujdesi mjekësor dhe siguria. Spitalet janë të mbingarkuara, ndihma është e pamjaftueshme dhe rreziku i vdekjes është i përhershëm. Aty ku dikur kishte shpresë, tani mbretëron frika dhe dëshpërimi

Mes një lufte vdekjeprurëse në Gazë, nisin jetë të reja. Por foshnjat e porsalindura dhe ato që janë ende në barkun e nënave janë ndër më të prekurat nga kushtet e vështira.

Me mungesa akute të ushqimit, OKB-ja thotë se një në 10 foshnje të reja është nën peshë ose e parakohshme. Ka pasur gjithashtu një rritje të aborteve, lindjeve të foshnjave të vdekura dhe anomalive kongjenitale.

Në spitalin Nasser në qytetin jugor të Khan Younisit, Malak Brees, tani shtatë-muajshe shtatzënë, i frikësohet bombardimeve izraelite dhe urdhrave të evakuimit, si dhe humbjes së foshnjës së saj.

“Kam frikë se mund të kem  lindje të parakohshme në çdo kohë dhe se lëngu im amniotik nuk është i mjaftueshëm që foshnja të rritet”, i thotë ajo BBC-së.

Malak nuk priste të ngjizte fëmijën e saj të dytë. Gjashtë javë më parë, ajo humbi shumë lëng amniotik, duke e vënë foshnjën e saj në rrezik.

“Mjekët më thanë se ishte për shkak të kequshqyerjes dhe lodhjes... Ata më thanë se ishte në duart e Zotit - fetusi mund të mbijetonte ose të vdiste”.
Teksa  ushqyerja e dobët po shkakton rreziqe të reja në shtatzëni, edhe lindja e fëmijës është bërë shumë më e rrezikshme.

Spitalet e stërmbushura  

Bllokada totale e Izraelit ndaj Gazës e vendosur më 2 mars - e cila thuhet se ishte për të ushtruar presion mbi Hamasin - u lehtësua vetëm pjesërisht dy javë më parë. Ka mungesë të furnizimeve bazë mjekësore, duke përfshirë qetësues dhimbjesh dhe produkte bazë higjienike.

Ndonjëherë veprimet ushtarake izraelite dhe zhvendosja nënkuptojnë që gratë lindin në tendat ose strehimoret e tyre pa ndihmë mjekësore.

“Nëse nënat janë aq me fat sa të vijnë në spitale për të lindur foshnjat e tyre, gratë që lindin në mënyrë natyrale zakonisht dërgohen në shtëpi tre deri në katër orë më vonë”, thotë Sandra Adler Killen, infermiere amerikane e regjistruar në urgjencë dhe pediatri, e cila kohët e fundit ka punuar në spitalin në Gazë.

“Gratë që kanë pasur prerje cezariane kirurgjikale lirohen pas 24 orësh”, tha ajo.

“Ato shpesh lirohen në shtëpitë e tyre me foshnje që kanë gjendje shëndetësore dhe probleme të ndryshme që në rrethana normale do t’i kishim lënë në spital për të marrë më shumë mbështetje.
“Shumica e foshnjave, jashtë Gazës, të lindura nën 32 javë, nën 1,400g do të ishin në njësinë e kujdesit neonatal. Këto foshnje dërgohen në shtëpi. “Thjesht nuk ka vend për to”.

Spitali Nasser ende ka një njësi të kujdesit intensiv neonatal që funksionon, dhe është plot. Mjekët thonë se janë mbingarkuar nga pacientët që kur spitali evropian aty pranë u shënjestrua në një bombardim vdekjeprurës izraelit më 13 maj dhe u nxor jashtë përdorimit.

Ushtria izraelite ka sulmuar vazhdimisht spitalet gjatë gati 20 muajve të luftës dhe thotë se ka shënjestruar udhëheqësin lokal të Hamasit, Mohammed Sinwar, në një bazë nëntokësore nën kompleksin e spitalit evropian.

Ai akuzon Hamasin se i fsheh rregullisht luftëtarët dhe infrastrukturën e tij pas të sëmurëve dhe të plagosurve, diçka që grupi i armatosur e mohon.

Me qasjen në kujdesin shëndetësor bazë tani shumë të vështirë, shumica e asaj që OKB-ja vlerëson se janë 55.000 gra shtatzëna në Gaza nuk janë në gjendje të bëjnë kontrolle të rregullta para lindjes.

“Gjendja psikologjike e grave në momentin e lindjes është e rëndë, Zoti i ndihmoftë”,  thotë Dr. Ahmad al-Farra, një drejtues i kujdesit pediatrik dhe të lindjes në spitalin Nasser.

“Ato janë plotësisht të vetëdijshme se foshnjat e tyre të palindura nuk po monitorohen siç duhet dhe se vetë nuk kanë marrë ushqim të mjaftueshëm, kështu që presin që foshnjat e tyre të vuajnë nga pesha e ulët e lindjes, ose komplikime të tjera. Ky është shqetësimi i parë”.

“E dyta është se pas lindjes, ato janë thellësisht të shqetësuara se si do të arrijnë të ushqejnë me gji ose edhe të sigurojnë formulë, veçanërisht me mungesën e vazhdueshme të ushqimit. Të dyja opsionet janë po aq të vështira”.

Kequshqyerja e nënave dhe foshnjave

Duke fshirë lotët, Aya al-Skafi po shikon fotot e vajzës së saj, Jenan, në një strehë në qytetin e Gazës.
Foshnja lindi gjatë armëpushimit në fillim të këtij viti dhe fillimisht ajo ishte në gjendje të mirë shëndetësore. Por, kur ushqimi u bë i pakët, nëna e saj luftoi për të ushqyer me gji.

“Pasi kalimet u mbyllën, gjithçka u mbyll edhe për ne”, thotë Aya. “Nuk kishte miell, as ujë të pastër, as ushqim si frutat dhe zarzavatet që të nevojiten për të qenë i shëndetshëm. Kur gjendja ime u përkeqësua, gjendja e Jenanit u përkeqësua edhe më shumë”.

Jenan u diagnostikua me kequshqyerje dhe dehidratim dhe kishte probleme me tretjen. Mjekët nuk mundën ta gjenin formulën e veçantë që i nevojitej.

“Isha bërë copë-copë aq sa doja t’i bërtisja gjithë botës, duke thënë: ‘Shpëtoni vajzën time nga vdekja, shpëtojeni!’”, kujton Aya.

“Luta për ndihmë, por vetëm Zoti, Zoti i Botës u përgjigj. Vetëm Zoti e shpëtoi nga mizoria e kësaj bote”.

Jenan vdiq muajin e kaluar - ajo ishte katërmuajshe.

Shumë nëna po hasin vështirësi për të ushqyer me gji për shkak të gjendjes së tyre të dobët shëndetësore, por një organizatë me bazë në Skoci, Aleanca për Ushqyerjen e Foshnjave në Gazë, ka trajnuar mjekë vendas për të ofruar më shumë mbështetje.

Sandra Adler Killen, e cila është gjithashtu specialiste në ndihmën për nënat që ushqejnë me gji, punon me ta.

“Ne e rekomandojmë absolutisht ushqimin me gji, edhe kur nëna është e kequshqyer, përveç rasteve kur është në gjendje të rëndë të kequshqyer”,  thotë ajo.

“Shumë shpesh nënave që u është dhënë formulë, ato bëhen të varura prej saj, furnizimi i tyre me qumësht zvogëlohet, pastaj nuk kanë qasje në formulë, ose nuk kanë ujë të pastër”.

Tani e kthyer në SHBA, Sandra rrëfen disa raste shqetësuese që hasi në Khan Younis dhe në Spitalin e Martirëve të Al-Aksasë në qytetin qendror Deir al-Balah.

Një nënë për herë të parë kishte vizituar spitalin përpara se të lindte, por sulmet ajrore izraelite bënë që ajo të përfundonte duke lindur foshnjën e saj vetëm me burrin e saj në kampin e tyre me tendë.
Për pesë ditë, ajo pati vështirësi ta bënte të porsalindurin e saj të ushqehej me gji. Kur më në fund u bë e sigurt të udhëtonte për në spital, ishte tepër vonë për ta shpëtuar foshnjën e saj.
Një grua tjetër dhe foshnja e saj i mbijetuan një bombardimi me tank pranë shtëpisë së saj, por ajo kishte shrapnela në gjoks, një pjesë e të cilave ia preu kanalin e qumështit. Ajo kishte nevojë për këshilla nga ekspertët se si të vazhdonte ushqyerjen.

Një nënë me katër fëmijë pati sukses në ushqyerjen e të porsalindurit të saj të parakohshëm, por më pas tenda e saj u bombardua. Burri i saj u vra dhe, disa orë më vonë, ata morën një urdhër evakuimi nga ushtria izraelite.

Gruaja humbi ndjenjat ndërsa ikte me fëmijët e saj dhe nuk ishte në gjendje të ushqente me gji për tre ditë. Në rastin e saj, për fat të mirë, ata arritën të gjenin formulë për foshnje. “Ka histori, histori pas historie”, thotë Sandra. “Në përgjithësi, po përjetojmë një rritje shumë, shumë të madhe të dëshpërimit, të mungesës së shpresës dhe të ideve për vetëvrasje”.

Gratë pa mbështetje 

Familjet e mëdha janë normë në Gazë, por në kampet e personave të zhvendosur, shumë gra nuk kanë mbështetjen e zakonshme nga të afërmit dhe miqtë ndërsa kalojnë nëpër shtatzëninë e tyre dhe më pas vështirësitë me të porsalindurit.

Përveç punës në Gazë dy herë gjatë vitit të kaluar, Sandra u ka dhënë këshilla grave nga distanca. Ajo u bë e afërt me një farmaciste, Jomana Arafa, gjatë shtatzënisë së saj me rrezik të lartë me binjakë.

“Dje, Sandra, linda me prerje cezariane dhe, falë Zotit, unë dhe fëmijët e mi jemi në gjendje të mirë shëndetësore”, thotë Jomana në një mesazh zanor në anglisht të cilin e dërgoi me fotografi gushtin e kaluar. Ajo e kishte quajtur djalin e saj Asser dhe vajzën Aysal.

Por gëzimi për Jomanën dhe familjen e saj do të ishte tmerrësisht jetëshkurtër.

Tre ditë më vonë, burri i saj, Mohamed Abul-Qomasan, po merrte certifikatat e lindjes së foshnjave kur mori lajmin se gruaja e tij, të porsalindurit e tyre dhe vjehrra e tij ishin vrarë në një sulm raketor izraelit në strehën e tyre në Deir al-Balah.

Gazetarët në Spitalin e Martirëve të Al-Aksës e filmuan Mohamedin teksa ai po rrëzohej në oborr.
Në atë kohë, ushtria izraelite pretendoi se nuk kishte dijeni për incidentin, duke shtuar se kishte në shënjestër “vetëm caqe ushtarake”, duke ndërmarrë hapa për të minimizuar dëmin ndaj civilëve.
Vdekja e Jomanës, nënës së saj dhe foshnjave të porsalindura ia theu zemrën Sandrës. “Ende mendoj për këtë dhe qaj me dënesë", thotë ajo.

Në Gazë, për shumicën e grave, shtatzënia dhe lindja e fëmijës dikur ishin një kohë pritjeje dhe emocionesh të paduruara, por tani ato janë kohë stresi dhe frike.

Në vend që ta përfaqësonin shpresën e një jete të re, foshnjat kanë ardhur për të mishëruar luftën për të mbijetuar.