Ushtria izraelite njoftoi të dielën se ka vrarë zëdhënësin e krahut të armatosur të Hamasit, në një kohë kur kabineti i sigurisë së Izraelit është mbledhur për të diskutuar zgjerimin e ofensivës ushtarake në disa prej zonave më të populluara të Gazës.
Sipas një zyrtari izraelit që foli në kushte anonimiteti, nuk pritet që gjatë takimit të diskutohet për negociata për armëpushim, pasi kjo nuk është pjesë e agjendës.
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, e identifikoi zëdhënësin e vrarë si Abu Obeida – emri i luftës i përfaqësuesit të Brigadave al-Qassam të Hamasit. Ai u vra gjatë fundjavës, ndërsa Hamasi ende nuk ka komentuar mbi pretendimin e Izraelit.
Deklarata e fundit publike e Abu Obeidës ishte bërë të premten, në kohën kur Izraeli nisi fazën e parë të ofensivës së re dhe shpalli Qytetin e Gazës si zonë lufte. Në deklaratë, ai kishte thënë se militantët do përpiqeshin të mbronin pengjet e gjalla, por paralajmëroi se ato ndodhen në zona lufte. Ai gjithashtu tha se trupat e pengjeve të vdekur do të “zhdukeshin përgjithmonë”.
Ushtria izraelite e identifikoi zëdhënësin si Hudhaifa Kahlout dhe deklaroi se ai ishte përgjegjës për publikimin e videove me pengje dhe pamjeve nga sulmi i udhëhequr nga Hamasi që çoi në shpërthimin e luftës. Ushtria izraelite përsëriti gjithashtu kërcënimet ndaj udhëheqësve të mbetur të Hamasit jashtë Gazës.
-
Izraeli thotë se ka vrarë zëdhënësin e Hamasit, Abu Obeidan
-
Vritet shefi më i lartë ushtarak i Hamasit në një sulm ajror në Gazë
-
Një i vrarë dhe pesë të plagosur nga sulme të armatosura në disa qytete të Izraelit
-
Izraeli thotë se kreu i ri i krahut ushtarak të Hamasit është vrarë në sulmet ajrore të martën
-
Vritet djali i udhëheqësit të Hamasit që negocionte me bordin e udhëhequr nga Trumpi